Lajme

Ngritët aktakuzë ndaj “Kobrës” për veprën penale “Vrasje e rëndë”


Dibran Hoxha gjatë arrestimit nga Policia e Kosovës.

Prokuroria Speciale (PS), të martën ka ngritur aktakuzë kundër Dibran Hoxhës, i njohur si “Kobra”, e po ashtu ndaj katër personave të tjerë me inicialet R,S., A.V., B.M dhe J.B., për vrasjen e të riut nga Kukësi që ka ndodhur më 3 janar të vitit 2023.

Lajmin e ka bërë të ditur Prokuroria përmes një komunikate për media.

“Prokuroria Speciale njofton se i pandehuri D.H., akuzohet për veprën penale ‘Vrasje e rëndë’ nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.5 dhe 1.8 të KPRK-së, si dhe ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’ nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së”, thuhet në komunikatë.

Gjykata Themelore në Prizren, kishte caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji për gjashtë personat e dyshuar për vrasje të rëndë në Prizren më 3 janar.

Pronari i lokalit “Kobra City”, Dibran Hoxha, i cili është i dyshuari kryesor për vrasjen e 31- vjeçarit nga Kukësi i Shqipërisë, është emër i njohur për organet e drejtësisë në Kosovë.

Hoxha, ka qenë i dënuar 16 herë, ai është i njohur me pseudonimin “Kobra”.

Madje, nga Gjykata Themelore në Prizren, kanë bërë të ditur se i njëjti ka ende aktive një lëndë, për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” nga neni 153, par. 2 të Kodit Penal.

Më 29 qershor, Gjykata tre të dyshuarve të tjerë, Arben Vezaj, Jesmir Bqadalli dhe Burim Mazrekut ua kishte zëvendësuar masën e paraburgimit me arrest shtëpiak dhe paraqitje në stacion policor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore