Lajme

Ngritët aktakuzë ndaj dy serbëve, dyshohen për veprën penale “Pjesëmarrja në turmë dhe huliganizëm”


Ilustrim.

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndaj dy serbëve të dyshuar për veprën penale “Pjesëmarrja në turmë dhe huliganizëm”, në Veri.

Lajmin e ka bërë të ditur Prokuroria Speciale, përmes një komunikate dërguar mediave.

“Prokuroria Speciale njofton ekziston dyshimi i bazuar mirë se të lartcekurit në koordinim me shumë të pandehur të tjerë të nacionalitetit serb nga Kosova dhe Serbia, kanë marrë pjesë aktive në grupin përkatësisht turmën e personave me qëllim të kryerjes së veprave penale serioze, përmes përdorimit të dhunës kanë tentuar që të pengojnë vendosjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës në komunat veriore të vendit”, thuhet në komunikatë.

Më 26 dhjetor, Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë kundër një serbi, ish-gardian në burgun e Prishtinës dhe Lipjanit, i cili dyshohej se gjatë periudhës së luftës në Kosovë 1998-1999, kreu krime lufte kundër popullatës civile.

Në njoftimin e Prokurorisë Speciale thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri, në cilësinë e personit zyrtar dhe në bashkëkryerje edhe me zyrtarë tjerë të burgjeve, në mënyrë sistematike i malltretoi të burgosurit.

Gjithashtu, sipas njoftimit, përpos akuzave për krime lufte kundër popullatës civile gjatë luftës së fundit në Kosovës, ai akuzohet edhe për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Serbia nuk i ka pranuar krimet e luftës në Kosovë, nuk ka kërkuar falje dhe nuk është treguar e gatshme të bashkëpunojnë me drejtësinë ndërkombëtare për t’i dorëzuar kriminelët e luftës dhe për të dhënë informacione për varrezat masive, ku janë fshehur trupat e shqiptarëve të vrarë gjatë luftës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore