Ngritët aktakuzë ndaj Andi Pajazitit për vrasjen e gushtit

SHFLETO

Foto nga vendi i ngjarjes.

 

Altina Marmullaku
25.06.2024 11:40
Loading Icons...

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj Andi Pajazitit, i njohur me nofkën “italiani”, lidhur me vrasjen e 4 gushtit të 2023-së që kishte ndodhur në lokalin “Bon Vivant”.

Në aktakuzë, Pajaziti thuhet se vrasjen e kishte kryer pa i menduar pasojat.

“I pandehuri Andi Pajaziti pas goditjes, sulmit nga tani i ndjeri e nxjerr armën nga brezi nga ana e djathtë, për shkak të tronditjes së fortë mendore, pa fajin e tij, pa menduar për pasojat e nxjerr armën nga brezi nga ana e djathtë, shtinë me armë zjarri, me ç’rast godet tani të ndjerin K.R”, thuhet në aktakuzën e prokurorisë.

Ai është duke u akuzuar për veprën penale “Vrasje e kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore”.

Teksa për shkak se kishte mbajtur në pronësi armën e tipit “Smith” në kundërshtim me ligjin ai po akuzohet për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Më 13 maj, Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka vazhduar edhe për dy muaj masën e paraburgimit Andi Pajazitit – i cili dyshohet se ka shkaktuar vrasjen në “Bon Vivant” më 4 gusht të 2023-së.

Gëzim Zakuti dhe Hisni Gecaj, të cilët po ashtu dyshoheshin për vrasjen e 4 gushtit në “Bon Vivant”, më 29 gusht 2023 ishin liruar nga masa e paraburgimit.

I dyshuari tjetër për përfshirje në këtë rast, Dukagjin Nikollaj, gjendet në arrati.

Një i vdekur, 21 të lënduar, 14 prej tyre vajza, katër të dyshuar të hospitalizuar në QKUK, ishte bilanci tragjik i ngjarjes që ndodhi në një nga lokalet më të famshme të kryeqytetit “Bon Vivant”, ku pati të shtëna me armë zjarri dhe përplasje fizike.