Shqipëria

Ngricat në Shqipëri – Rruga e Arbërit e bllokuar, disa fshatra të izoluar


E gjithë Shqipëria është përfshirë nga një valë e të ftohtit siberian gjatë kësaj fundjave, ku problematikat më të mëdha po hasen në qarkun e Dibrës, kryesisht me kalimin e rrugëve dhe izolimin e disa fshatrave të thella malore.

Prej ditës së djeshme, rruga e Arbrit – e inauguruar prej pak kohësh – është bllokuar si pasojë e terrenit me ngrica të shumta. Për këtë arsye, Policia ka vendosur postblloqe në Klos dhe në Bastar-Murrizë, për të detyruar drejtuesit e mjeteve të zgjedhin aksin e vjetër rrugor, i cili kalon për nga Burreli.

Segmenti Peshkopi-Klos, mund të përshkruhet vetëm me goma dimri ose zinxhirë. Po ashtu, edhe akse të tjera rrugore në vend, si Ura e Çerenecit-Librazhd, Peshkopi-Kala e Dodës-Kukës apo Peshkopi-Draj Reç-Kukës.

Pjesa më e madhe e fshatrave, vijojnë të jenë të izoluar dhe pa rrugë kalimi. Disa prej tyre janë në zonat e thella të Lurës, Selishtës, Sllovës, Krastës, Ostrenit apo Trbishtit.

Prej 48-orësh ndërkaq, janë pa energji elektrike njësitë administrative të Lurës, Selishtës, Luznit dhe Sllovës.

Probleme ka pasur edhe në Bulqizë, në njësitë administrative Krastë, Ostren dhe Trebisht.

Një pjesë e qytetit të Peshkopisë, ka mungesë uji të pijshëm për shkak të ngricave, pas arritjes së temperaturave në -15 gradë Celsius.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore