Shqipëria

Ngordhja e mijëra shpendëve, Prokuroria nis hetimet në Durrës


Prokuroria e Durrësit të hënën e 21 marsit ka nisur hetimet për ngordhjen e mijëra shpendëve në disa pulari të qytetit bregdetar.

Ky institucion ka kërkuar informacion për të mësuar se kur është konstatuar rasti i parë dhe nëse janë vënë në dijeni apo jo organet përkatëse.

Po ashtu, Prokuroria i ka kërkuar Policisë të sekuestrojë dokumente mbi praktikën, që është ndjekur pas rasteve të konstatuara për ngordhjen e shpendëve.

Ministria e Bujqësisë e ka konfirmuar rastin e parë të gripit të shpendëve në Durrës të dielën e 20 marsit.

Sipas njoftimit zyrtar, virusi ishte gjetur në dy stabilimente në Durrës.

Hetimi epidemiologjik deri më tani njoftohet se flet për rast të izoluar.

Autoritetet sugjerojnë që mishi i pulës të gatuhet në temperatura mbi 70°C dhe vezët po ashtu të jenë të mirëgatuara.

Gatimi i plotë i mishit dhe vezëve siguron pamundësinë e virusit për prani në produkte të papërpunuara që hyjnë në zinxhirin ushqimor.

Më 17 mars, Ministria e Bujqësisë në vijim të lajmit të një dite më parë se 200 mijë shpend kishin ngordhur në dy pulari në Durrës, njoftoi se janë marrë masat për shqyrtimin e situatës në vend, gjurmimin, kampionimin zyrtar dhe dërgimin e tyre në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV).

Sipas të dhënave të deritanishme, bëhet fjalë për sëmundjen e Laringotrakeitit, infektiv te shpendët.

Ministria ka bërë me dije se fermat janë vendosur në karantinë deri në daljen e rezultateve laboratorike përfundimtare.

Sëmundja e Laringotrakeitit, njoftoi Ministria e Bujqësisë, prek kryesisht shpendët dhe “nuk është zoonotike”.

“Kjo sëmundje nuk transmetohet te njerëzit dhe as nëpërmjet produkteve ushqimore nga shpendët. Për pasojë, nuk përbën rrezik për shëndetin publik”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore