Lajme

Ngordhin 200 balena të bllokuara në plazhin e Tasmanisë, dhjetëra shpëtuan


Në bregun perëndimor të Tasmanisë, afro 200 balena të bllokuara kanë ngordhur teksa përpjekjet e shpëtimit vazhdojnë.

Sakaq, dhjetëra të tjera janë kthyer me sukses në ujërat më të thella.

Një grup prej rreth 230 balenash u bllokuan në Ocean Beach, në perëndim të Strahan. Disa u bllokuan gjithashtu brenda Macquarie Harbour, në jug të qytetit.

Menjëherë u nis një ekip shpëtimi dhe përpjekjet po vazhdojnë.

“Dhjetëra balena janë shpëtuar dhe janë dërguar në ujë më të thellë”, ka thënë Sam Gerrity, nga Southwest Expeditions, i cili ka qenë i përfshirë në përpjekjet e shpëtimit.

Autoritetet kanë njoftuar se vetëm 35 nga 230 balena në Ocean Beach kishin mbijetuar. Kontrolluesi i incidentit, Brendon Clark, ka thënë po ashtu se tragjikisht shumica e tyre në plazh kishin vdekur.

“Fatkeqësisht, ne kemi një shkallë të lartë të vdekshmërisë në këtë bllokim të veçantë”, ka thënë ai.

Sipas Clark, kushtet e ekspozuara në Ocean Beach kontribuan në shkallën e lartë të vdekjeve dhe se autoritetet po kufizonin përfshirjen vullnetare vetëm për ata me trajnime ose përvojë të mëparshme të kafshëve të egra detare.

“Ne vlerësojmë të gjitha ofertat dhe gjithë vullnetin e mirë që shprehet nga komuniteti. Është më shumë një çështje për të pasur një mjedis të sigurt pune dhe personel të aftë dhe të trajnuar”, ka theksuar ai.

Edhe në vitin 2020, 470 balena u gjetën të plazhit në rëre dhe të bllokuara brenda Macquarie Harbour – bllokimi më i keq masiv i regjistruar në Australi.

Ndërkaq, autoritetet u kanë kërkuar operatorëve të anijeve brenda Macquarie Harbour të monitorojnë për bllokime të mundshme në vende të tjera.

Ky bllokim i fundit është i dyti që ndodh brenda pak ditëve. Në King Island, në Bass Strait, 14 balena të ngordhura, të gjithë meshkuj të mitur, u hodhën në breg.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore