Lajme

“Ngadhënjimi” qesharak dhe mjerimi politik i Kurtit, sipas Hoxhajt


Ish ministri i Jashtëm dhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj.

Ish ministri i Jashtëm dhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për politikën e jashtme duke e quajtur “çoroditje”.

Hoxhaj, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka thënë Qeveria s’ka pasur kurrfarë suksesi në politikën e jashtme duke mos arritur asnjë anëtarësim substancial në ndonjë organizëm ndërkombëtar.

Situatën e quajti “çoroditje e politikës së jashtme të Kosovës dhe kulturë të papërgjegjshmërisë së qeverisë”.

“Në vend se ta kishte si rezultat të fundvitit marrjen e statusit të kandidatit të BE-së, marrjen e Partneritetit për Paqe të NATO-s, anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe anëtarësimin e Kosovës në ndonjë organizatë ndërkombëtare, sot bëri të ditur se Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës i është bashkuar Këshillit të Arkitektëve të Evropës si anëtare vëzhguese”, ironizoi Hoxhaj.

“Kosova e përmbyllë këtë vit pa asnjë rezultat të vetëm dhe vetëm me lajme për vizitat jashtë vendit që s’kanë qenë asgjë më shumë se vetëm turizëm politik. Çfarë ngadhënjimi qesharak i diplomacisë sot dhe çfarë mjerimi politik!”.

Edhe më 24 nëntor, ish ministri i Jashtëm dhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, kishte kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, pas deklaratës së tij ku kishte thënë se, “statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe duhet ta publikojnë ndërkombëtarët”.

Kosovës, për dallim nga shtetet e tjera të rajonit, i janë dashur 12 vjet nga lansimi i dialogut për liberalizimin e vizave deri në lëvizjen e lirë në zonën Schengen.

Procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën nga ana e Parlamentit Evropian ka zgjatur më së gjati në historinë e procesit të liberalizimit të vizave, kjo pasi që shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor iu deshën 2 deri në 3 vjet.

Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Serbisë iu deshën vetëm 2 vjet nga lansimi i dialogut për liberalizimin e vizave deri në lëvizjen e lirë të qytetarëve të tyre në zonën Schengen. Ndërsa Shqipërisë e Bosnje Hercegovinës 3 vjet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore