Lajme

Nga votimi te roli i Khameneit – Çfarë pritet të ndodhë në Iran pas vdekjes së Raisi-t


Në Iran pozicioni më i lartë është ai i Udhëheqësit Suprem ndërsa presidenti është kreu i qeverisë.

Nëse ky i fundit vdes, jep dorëheqjen ose lirohet nga detyra, pushteti i transferohet zëvendëspresidentit të parë, i cili aktualisht është Mohammad Mokhber.

Më pas, brenda 50 ditëve duhet të shpallen zgjedhjet.

Ebrahim Raisi, i zgjedhur president në vitin 2021, duhet të kishte qëndruar në detyrë deri në vitin 2025.

Kushtetuta iraniane, në nenin 131, parashikon se nëse një president vdes në detyrë, zëvendëspresidenti i parë do të marrë detyrën, me miratimin e Udhëheqësit Suprem, i cili ka fjalën e fundit për të gjitha çështjet e shtetit.

Nënkryetari aktual është Mohammad Mokhber Dezfuli i cili së bashku me kryetarin e Parlamentit – Mohammad Bagher Ghalibaf – dhe kreun e gjyqësorit – Gholamhossein Mohseni Ejei – duhet të organizojnë zgjedhje të reja brenda një periudhe maksimale prej 50 ditësh.

Cilët mund të jenë emrat

Në zgjedhjet e fundit presidenciale dhe parlamentare, këshilli i ekspertëve, i cili përzgjedh kandidatët, ka përjashtuar të gjithë të moderuarit dhe reformistët e rëndësishëm, duke lejuar kështu ultrakonservatorët të dominojnë presidencën dhe Parlamentin, mexhlisin.

Raisi u zgjodh në vitin 2021 me pjesëmarrjen më të ulët të votuesve në historinë e Republikës Islamike, 42%.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare të marsit, pjesëmarrja ra sërish, në 41%, me kulme në rënie si ato në Teheran ku votuan 7% e atyre që kishin të drejtë vote.

Do të jetë vendimtare për të kuptuar se si lidershipi do të zgjedhë të menaxhojë zgjedhjet e ardhshme presidenciale, qoftë duke u hapur ndaj opozitës së moderuar apo duke ngushtuar edhe më tej fushën.

Tashmë kanë filluar të qarkullojnë emrat e parë të kandidatëve për pasardhës: kryeparlamentari Ghalibaf, ultra-konservatori Saeed Jalili, kreu i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare, vetë Mokhber.

Është e qartë se vetëm emrat e aprovuar nga Ajatollah Khamenei po konkurrojnë në garën presidenciale, prandaj nuk ka kundërshtarë.

Në fakt, në muajin mars u votua edhe për Kuvendin e Ekspertëve, organi i përbërë nga 88 anëtarë, të gjithë burra, kryesisht fetarë, që zgjedh liderin suprem.

Rouhani, presidenti i moderuar që qeverisi Iranin për 8 vjet, duke nënshkruar marrëveshjet bërthamore me Perëndimin, u ndalua të kandidojë.

Një përjashtim i bujshëm, i cili thotë shumë se sa e ngushtë është loja për pasimin e Khameneit.

Në 45 vjet, Republika Islamike ka pasur vetëm dy liderë, Khomeini dhe Khamenei: tranzicioni krijon pasiguri, zbrazëti, të cilat sistemi dëshiron t’i shmangë me çdo kusht.

Aq më tepër nëse një nga pjesët për të cilat ka vënë bast duhet të dështojë.

Raisi, përveç se është pjesë e Kuvendit të Ekspertëve, ishte edhe ndër kandidatët me shanset më të mëdha sepse e pëlqejnë besimtarët dhe pasadaranët.

Diktatura iraniane është një strukturë piramidale: në krye është lideri suprem që qeveris gjithçka.

Vendimet e politikës së brendshme dhe të jashtme, emrat e kandidatëve për zgjedhje, madje edhe centimetrat e pëlhurës që duhet të mbulojnë trupin e grave kalojnë përmes tij.

Nën atë janë disa organe, duke përfshirë: asamblenë e ekspertëve, presidentin, gjyqësorin, parlamentin, këshillin e ekspertëve dhe pasdaranët, Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike.

Nën Khamenei, Pasdaranët – lindur si një milici ideologjike – kanë fituar gjithnjë e më shumë pushtet brenda qeverisë dhe ekonomisë: ata menaxhojnë mbi gjysmën e sistemit ekonomik të vendit.

Ata nuk zëvendësojnë liderin suprem, por kanë një peshë në vendime, për disa tani janë një lloj “qeverisë në hije”.

Janë sigurisht dora e armatosur e ideologjisë së regjimit. Vrasin protestues, torturojnë, përdhunojnë, por janë edhe eksportuesit kryesorë të terrorizmit në rajon.

Ata çojnë përpara projektin ekspansionist të diktaturës dhe luftojnë për të realizuar ëndrrën e Ajatollah Khomeinit dhe më pas të Khameneit: të dëbojnë SHBA-të dhe Izraelin dhe të ndërtojnë një perandori islame të kryesuar nga Irani, udhërrëfyesi moral i rajonit.

Zëvendësministri i Jashtëm

Kabineti qeveritar i Iranit emëro zëvendësministrin e Jashtëm Ali Bagheri Kani si ushtrues detyre të ministrit të Jashtëm pas vdekjes së Hossein Amirabdollahian në një aksident ajror.

Bagheri Kani udhëhoqi delegacionin iranian gjatë negociatave bërthamore të Vjenës, të cilat më vonë përfunduan në ngërç dhe është pika më e fortë e kontaktit me evropianët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore