Shqipëria

Nga Shqipëria në Marok, 10 festivalet muzikore që s’duhen humbur


Festivalet muzikore i janë rikthyer kësaj vere.

Pas një fillimi të cunguar vitin e kaluar, ku kishte një numër ngjarjesh të mbajtura me kapacitet të kufizuar për shkak të COVID-it, verën e këtij viti muzika nuk do të ndalet.

Në të gjithë Evropën dhe Afrikën e Veriut do të zhvillohen më shumë se një duzinë festivalesh.

Nga muzika reggae në pyjet e Sllovakisë, te jazz-i dhe rock-u në Casablanca të Marokut, dhjetë janë festivalet që nuk duhen humbur.

Nga data 3 deri më 5 qershor: Vestrock

Zhvillohet në Hulst, Holandë, me praninë e Editors, Wolfmother, Martin Solveig dhe The Darkness.

Pse duhet shkuar?

Festivali mbahet në një ishull në qytetin e fortifikuar mesjetar të Hulst-it, dy orë e gjysmë me makinë nga Amsterdami.

Ai është i njohur për atmosferën intime, me deri në dhjetë mijë njerëz që shikojnë më shumë se 50 grupe në katër skena.

Formacioni është i prirur drejt fillimit të viteve 2000, duke shfaqur akte të mëdha muzikore rock dhe indie.

Për më shumë: vestrock.nl

Nga data 17 qershor deri më 22 korrik: Rock in Roma

Mbahet në Romë, Itali, me praninë e Herbie Hancock, Patti Smith, Deep Purple, the Chemical Brothers dhe Suicidal Tendencies.

Përgjatë katër javësh në tre ambiente të ndryshme, ky festival është arsyeja e përsosur për të bërë një pushim veror në kryeqytetin italian.

Formacioni është eklektik, me grupe të kalitur që ndajnë skenën me talente të rinj nga Italia dhe Evropa Veriore.

Për më shumë: rockinroma.com

Nga data 24 deri më 26 qershor: Mallorca Live Festival

Festivali mbahet në Mallorca, Spanjë, me praninë e Muse, Christina Aguilera, Franz Ferdinand dhe Justice.

Duke u zhvilluar në rajonin Calvia të Spanjës, vendi i festivalit ndodhet midis kodrave të gjelbëruara të Serra de Tramontane.

Përveç tërheqjes së emrave të mëdhenj, festivali ka krijuar një reputacion si një atraksion i madh turistik, me të pranishmit që shpesh zgjasin qëndrimin e tyre për të ecur dhe eksploruar mjedisin mahnitës.

Për më shumë: mallorcalivemusic.com

Nga data 1 deri më 3 korrik: Jazzablanca

Në Casablanca, Marok.

Pritet që grupet kryesuese të shpallen së shpejti. Më parë kanë qenë Franz Ferdinand, Calypso Rose dhe Maceo Parker.

Ky festival i qytetit butik ofron një përzierje solide udhëtimi dhe argëtimi.

I mbajtur në dy vende, festivali ofron shfaqje të brendshme dhe të jashtme, si dhe përfshin legjenda të rock-ut dhe jazz-it së bashku me yjet e njohur.

Muzikantët po ashtu mund të marrin pjesë në klasa master nga disa nga grupet kryesore.

Për më shumë: jazzablanca.com

Nga data 1 deri më 3 korrik: Afro Nation

Festivali zhvillohet në  Algarve, Portugali.

Grupet kryesore pjesëmarrëse përfshijnë Burna Boy, Chris Brown, Wizkid, Davido dhe P Square.

Statusi i këtij festivali është rritur krahas tërheqjes ndërkombëtare të skenës Afropop dhe Afrobeats.

Ai nuk duhet humbur pasi shumica e yjeve kryesorë të zhanrit mblidhen për një fundjavë muzikore në qytetin e plazhit të Algarve, dy orë e gjysmë me makinë nga kryeqyteti i Portugalisë, Lisbona.

Për më shumë:  afronationfestival.com

Nga data 7 deri më 10 korrik: Exit Festival

Mbahet në Novi Sad, Serbi, me praninë e Calvin Harris, Nick Cave and the Bad Seeds, Masked Wolf, Afrojack dhe Sepultura.

Përgjatë viteve të fundit ka marrë goxha njohje për shkak të dinamikës dhe vendosjes në një kala të Petrovaradin-it të shekullit të XVIII-të.

Koncertet luhen në më shumë se dy duzina skena të vendosura brenda fortesës, e cila gjithashtu përmban hendeqe, llogore dhe tunele.

Për më shumë: exitfest.org

Nga data 15 dhe 16 korrik: Positivus Festival

Zhvillohet në Riga, Letoni.

Atje do të jenë të pranishëm A$AP Rocky, Megan Thee Stallion, Jamie xx, Caribou dhe Thundercat.

Festivali është kthyer në një vend të ri në Riga për të siguruar akses më të lehtë për vizitorët ndërkombëtarë.

Ngjarja krenohet me një linjë të fortë të grupeve të muzikës hip-hop dhe elektronike.

Për më shumë: positivusfestival.com

Nga data 27 dhe 28 gusht: Uprising

Në Bratislava, Sllovaki, me Morgan Heritage, Max Romeo, Roni Size dhe Suns of Dub.

Duhet shkuar sepse është një shans për të dëgjuar melodi të qetë reggae në një mjedis të bukur.

I mbajtur në vendpushimin veror piktoresk buzë liqenit të Zlate Piesky, Uprising bashkon grupet më të mëdha muzikore nga Jamaica, përveç orëve të artit dhe jogës dhe një tregu të artit rrugor të frymëzuar nga reggae.

Për më shumë: uprising.sk

Nga data 3 dhe 4 shtator: Superbloom

Mbahet në Mynih, Gjermani, me praninë e David Guetta, Calvin Harris, Stromae, Megan Thee Stallion dhe Rita Ora.

Festivali më i ri muzikor i Evropës, Superbloom-i inaugurues do të zhvillohet në Parkun Olimpik të Mynih-ut në disa skena, me grupe ndërkombëtare dhe lokale.

Festivali ka gjithashtu 11 fusha eksperience, me tema që variojnë nga moda dhe shkenca deri te qëndrueshmëria, kërcimi dhe akrobatika.

Për më shumë: superbloom.de

Nga data 7 deri më 14 shtator: Ion Festival

S’kishte si të mungonte Ion Festival që mbahet në Dhermi.

Disa nga pjesëmarrësit kryesorë do të jenë Carl Craig, Jeff Mills, Nina Kraviz dhe Helena Huff.

Ky është një festival i muzikës elektronike i kuruar me shije, pa turma të mëdha.

I vendosur në fshatin bregdetar të Dhërmiut, tre orë e gjysmë me makinë nga Tirana, Ion Festival mbahet në një vend festivali buzë plazhit.

Atje do të ketë, po ashtu, DJ dhe producentë me ndikim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore