Shqipëria

Nga Plani për Integrimin Evropian, VKM-ja për Autoritetin Civil dhe bonusi i transportit – vendimet e Këshillit të Ministrave


Nga Plani për Integrimin Evropian, VKM-ja për Autoritetin Civil dhe bonusi i transportit, kanë qenë vendimet e miratuara në mbledhjen e 9 shkurtit të Këshillit të Ministrave në Shqipëri.

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, bëri me dije se Këshilli i Ministrave ka miratuar Planin Kombëtar për Integrimin Evropian 2022 – 2024.

Ky dokument, sipas saj, përbën një nga instrumentet më të rëndësishme për sa i përket planifikimit dhe monitorimit të rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit dhe nga procesi i anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Xhaçka ravijëzoi se plani ka një objektiv të dyfishtë.

“Së pari, ai do të shërbejë si instrument i planifikimit të plotësimit të detyrimeve të lindura nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit që përcakton detyrimin e Shqipërisë për përafrimin e legjislacionit kombëtar me legjislacionin e Bashkimit Evropian në përputhje me afatet e përcaktuara nga kjo Marrëveshje”, deklaroi ministrja.

Sipas Xhaçkës, ky është një vit vërtet i rëndësishëm në rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian, kur presim që BE-ja të gjejë rrugën për t’i tejkaluar ngërçet që e bënë të pamundur që Shqipëria të merrte hapjen e negociatave që i ishte premtuar gjatë vitit 2021.

“Ne si Shqipëri nga ana tjetër, kemi bërë e do të vazhdojmë të bëjmë çdo gjë që na takon të bëjmë e që kemi marrë përsipër për të çuar përpara evropianizimin e vendit, duke shpresuar që të njëjtën gjë do të bëjë edhe Bashkimi Evropian”, përmbylli ajo.

Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka

Sakaq, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka shpjeguar mbi VKM-në e re, që do t’i japë Autoritetit Civil më shumë kompetenca.

Balluku ka bërë me dije se cilat do të jenë hapat shtesë në ndihmë të aviacionit civil dhe autoriteteve që i monitorojnë ato.

Sipas saj, Shqipëria, tre vitet e fundit ka bërë hapa të mëdhenj në fushën e aviacionit, duke nisur me ndërtimin dhe hapjen e aeroportit të Kukësit, i cili tani është funksional.

“Kompania Wizz Air dhe disa të tjera”, tha ajo, “janë angazhuar që, duke nisur nga data 1 maj të rrisin numrin e fluturimeve nga ky aeroport, në katër fluturime në javë”.

Ministrja ravijëzoi se kjo e bën Aeroportin e Kukësit konkurrent me atë të Tiranës.

“Konkurrenca”, sipas saj, “do të sjellë edhe uljen e çmimeve të biletave”.

Balluku ka sjellë dhe shembullin se “një biletë për në Angli, që kushtonte rreth 700 euro, tani kushton 70 ose më pak”.

Gjithashtu ministrja përmendi edhe hapjen e kantierit për Aeroportin e Vlorës, si një hap tjetër i madh i Shqipërisë drejt aviacionit dhe turizmit.

“Aeroporti i Vlorës dhe Tuneli i Llogarasë janë dy elemente infrastrukturore me rëndësi të veçantë për rritjen ekonomike jo vetëm të zonës së jugut, por të gjithë Shqipërisë”.

“AirAlbania dhe të gjitha kompanitë ajrore që i janë shtuar listës së fluturimeve në Evropë”, vijoi ajo, “janë një tjetër element që ndikon në rritjen e mundësive në fushën e aviacionit”.

Sipas saj, VKM-ja e miratuar sot, i jep mundësi Autoritetit të Aviacionit Civil që të ndjekë nga afër të gjithë operatorët që ofrojnë shërbimet e aviacionit civil.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku
“Bonus transporti”

Nga ana tjetër, ministrja e Arsimit, Evis Kushi, deklaroi se do të ketë një bonus për biletën e transportit.

Kjo, sipas saj, do t’u vijë në ndihmë të gjithë nxënësve sidomos në zonat e largëta.

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi

Kushi ka theksuar se tashmë, përveç nxënësve dhe mësuesve, nga ky bonus do të përfitojnë dhe oficerët e sigurisë dhe punonjësit socialë në shkolla.

“Sot kemi miratuar vendimin që synojmë të minimizojmë problematikat që lidhen me transportin e nxënësve dhe të punonjësve të arsimit parauniversitar. Lajmi i parë i mirë është bonus për 50% mbi çmimin e indeksuar të biletës për nxënësit që do të sjellë përmirësim të transportit për zonat e largëta”, përfundoi ministrja.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore