Sport

Nga humbja në tavolinë deri te përjashtimi nga gara, sa rrezikon Tirana


Tirana priti Bylisin në ndeshjen e javës së 35 dhe të parafundit për këtë sezon në Abissnet Superiore. Duke qenë se “Air Albania” ishte i zënë me koncert, u vendos që takimi të zhvillohej në “Egnatia Arena” në Rrogozhinë.

Dhe drama e Rrogozhinës me siguri do të mbahet mend gjatë për atë që ndodhi në lojë dhe pas saj. Para ndeshjes, Tirana po udhëhiqte kampionatin me dy pikë më shumë se rivalët e përjetshëm të Partizanit. Por, rezultati i të enjtes solli befasitë e mëdha.

Tirana kaloi e para në avantazh, por miqtë, të cileve ju interesonte së paku një pikë për luftën për mbijetesë, arritën të barazonin pesë minuta më vonë pas një gafe në prapavijën bardheblu.

Megjithatë, kryeqytetasit arritën të shënonin përsëri në fillimin e pjesës së dytë. Por, një penallti e dyshimtë për miqtë në minutën e 74 do të sillte kaosin që do të pasonte pas ndeshjes, ku skenat e dhunës u rikthyen në futbollin shqiptar edhe një herë.

Lojtarët e Tiranës dhe i gjithë stafi, me në krye trajnerin Orges Shehi u futën në fushë duke protestuar për penalltinë. Dhe, pas gjashtë minutash përplasje verbale dhe shtyrje në fushë mes gjyqtarit dhe anëtarëve të skuadrës së Tiranës u vendos ekzekutimi i 11 metërshit, që solli dhe barazimin 2-2 të sfidës.

Në fund u akorduan 10 minuta shtesë, por bardheblutë humbën disa raste shënimi, duke qenë të paqartë. Dukeshëm ajo penallti u prishi ekuilibrin dhe kthjellësinë mendore. Me së qarti e trgon rasti i humbur nga Filip Najdovski në sekondrat e fundit vetëm disa centimetra larg vijës fatale.

Teksa në fund u dëgjua fishkëllima e trefishtë e gjyqtarit Meta, lojtarët dhe stafi i skuadrës së Tiranës nxituan të kërkonin llogari te ai. Dhe këtu nisi ajo që duhej shmangur. Tifozët bardheblu të pranishëm në stadium u futën në fushë dhe skenat e dhunës shpërthyen.

Sipas raportimeve të gazetarëve të pranishëm në atë ndeshje, grushtat dhe shkelmat e tifozëve nuk kursyen asnjë prej gjyqtarëve të takimit. Denis Rexha u godit në kokë dhe veshin e djathtë, Kridens Meta në nofull dhe ka marrë disa të çjerra. Xhulio Mani u godit me shkelma, ndërsa arbitri i katërt, Olti Çela, me grusht në fytyrë.

Por, nuk mbaroj vetëm me gjyqtarët, pasi edhe Bylisi ka akuzuar në mediat sociale të klubit se lojtarët e tyre janë goditur. Madje ata kanë treguar edhe pamje se si një tifoz bardheblu godet me grusht mesfushorin brazilian, Loran, teksa ky i fundit ishte duke lënë fushën.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by FK BYLIS (@bylisal)

Gjithashtu pamjet në media tregojnë edhe disa momente dhune kur goditen gjyqtarët teksa shoqërohen me shpejtësi nga policia në drejtim të tunelit.

Pas incidenteve, Policia e Shtetit doli në njoftim zyrtar duke thënë se kishte shoqëruar disa persona që kishin tentuar të dhunonin gjyqtarët.

“Më datë 25.05.2023, në përfundim të ndeshjes Bylis-Tirana, në Rrogozhinë, disa tifozë të Tiranës kanë hyrë në fushë dhe kanë tentuar të dhunojnë gjyqtarët e ndeshjes. Shërbimet e Policisë kanë reaguar menjëherë duke shoqëruar këta shtetas, për të cilët po kryhen veprimet e mëtejshme procedurale. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, thuhej në njoftimin e policisë.

Mirëpo, kjo mund të jetë vetëm pikënisja e një sage më të madhe ndëshkimesh, që mund të prek tifozët bardheblu dhe vetë klubin.

Çfarë rrezikon Tirana?

Kujtojmë që vetëm dy ditë më parë, Komisioni i Disiplinës dhe Etikës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) dënoi me gjobë në masën 200 mijë lekë Tiranën për shkak të sjelljes së gabuar të tifozëve të saj.

Gjithashtu, Komisioni vendosi edhe një dënim me tetë ndeshje pezullim për zyrtarin e Tiranës, Grent Halili, për sjellje josportive ndaj zyrtareve të ndeshjes.

Por, skenat e dhunës pas ndeshjes me Bylisin mund të jenë më të mëdha për Tiranën në aspektin e dënimeve. Ato variojnë nga gjobat, te pezullimet e lojtarëve, mbyllja e përkohëshme e stadiumit, humbja e ndeshjes në tavolinë dhe deri tek rënia nga kategoria.

Është pikërisht neni 64 i Komisionit të Drejtësisë Sportive, “Dështimi në përmbushjen e përgjegjësive”, ai që prek Tiranën si skuadra pritëse në këtë rast.

Neni 64:

1.Subjektet anëtare ose pjesëmarrëse në aktivitete që dështojnë në përmbushjen e detyrimeve dhe përgjegjësive të tyre në përputhje me Neni 64 do të dënohen me gjobë.

2.Në rastet e shkeljeve të rënda mund të ndërmerren dënime të tjera, si zhvillim i ndeshjes pa spektatorë, zhvillimi i ndeshjes në fushë asnjanëse, ndalimi i zhvillimit të ndeshjes në stadiumin përkatës, anulimi i rezultatit të ndeshjes, përjashtimi nga një garë ose kampionat, dhe/ose humbje e ndeshjes në tavolinë.

3.Subjektet anëtare ose pjesëmarrëse në aktivitete që organizojnë ndeshjet zyrtare si fusha pritëse do të dënohen si më poshtë:

-në rastin e hyrjes brenda pjesës së rrethuar të fushës së lojës të ndonjë personi, duke shkaktuar akte të dhunës ndaj lojtarëve në fushë, dhe/ose zyrtarëve të ndeshjes, dhe/ose ndërprerje të lojës, ekipi përgjegjës për sigurinë në stadium do të penalizohet me zhvillimin e të paktën 4 ndeshjeve pa spektatorë. Në rast se nga këto akte shkaktohet ndërprerja përfundimtare e ndeshjes, ekipi përgjegjës për sigurinë do të penalizohet me humbjen e ndeshjes në tavolinë me rezultatin 3-0 përveç dënimeve të tjera.

4.Organi gjykues ka të drejtë të vendosë dënime edhe nëse nuk është verifikuar ndonjë shkelje e përcaktimeve këtu në këtë kod, por thjesht për çështje të mospërmbushjes së standardeve të sigurisë.

Renditja e Superiores

Pasi janë luajtur 35 javë, Partizani ngjitet në kyre me 64 pikë. Po aq pikë ka edhe Tirana, por zbret në vendin e dytë për shkak të përballjeve direkte.

Egnatia ka 52 pikë, në vendin e tretë, dhe tashmë rrogozhinasit e kanë siguruar kualifikimin në Kupat e Evropës.

Teuta, me 48 pikë, mban vendin e katërt. Një pikë më pak se durrsakët kanë shkodranët e Vllaznisë. Teksa Laçi i vendit të gjashtë ka 45 pikë.

Kukësi, me barazimin e arritur, ka 42 pikë. Verilindorët nuk e kanë të siguruar ende qëndrimin në Superiore, pasi mund të përfundojnë në vendin e tetë në varësi të rezultateve.

Erzeni mban aktualisht vendin e tetë me 40 pikë, dy pikë më shumë se Bylisi i vendit të nëntë. Janë pikërisht këto dy skuadra që luftojnë më shumë për qëndrimin në Superiore.

Kastrioti me humbjen që mori ndaj Partizanit tashmë është i rënë zyrtarisht nga kategoria.

Ndeshjet e javës së fundit të Superiores

Ndeshjet e javës së 36 dhe të fundit për këtë sezon në Superiore do të zhvillohen të hënën, më 29 maj, duke filluar nga ora 16:00.

Erzeni – Tirana;

Partizani – Teuta;

Egnatia – Kukësi;

Laçi – Kastrioti;

Bylis – Vllaznia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore