Shqipëria

Nga busti i Azem Hajdarit, Meta thirrje ‘për ta futur Shqipërinë në shina’


Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka zgjedhur qytetin Studenti për të uruar Ditën e Rinisë, më 8 dhjetor.

Ai ka bërë homazhe rreth bustit të ish-deputetit shqiptar, Azem Hajdari, duke rikujtuar lëvizjen studentore të vitit 1990.

Meta, praninë e tij aty – në këtë datë 8 dhjetor, Ditën e Rinisë – e ka cilësuar si një detyrim.

Kjo për të nderuar lëvizjen studentore, heroin e demokracisë, Azem Hajdari, i cili pati një rol kyç.

Por, për presidentin, tani është koha për një thirrje tjetër: “Ta rikthejmë Shqipërinë në shinat e demokracisë dhe të garantojmë të ardhmen evropiane”.

Më pas, ai zgjodhi të kthehej pas në kohë, në atë që e quan “dita e ardhjes së pluralizmit politik”.

Për kreun e shtetit, kjo datë i ka rikthyer “emocionet e paharruar, kur në Qytetin Studenti u thirra për të marrë pjesë, me Azem Hajdarin në krye, në takimin kapitullues të regjimit me studentët e Dhjetorit ’90”.

Meta ka theksuar se sa herë liria, demokracia dhe pluralizmi politik vihen në pikëpyetje, ndihen një thirrje të brendshme si asokohe.

Dita Kombëtare e Rinisë

8 dhjetori shënon tashmë Ditën Kombëtare të Rinisë dhe 31-vjetorin e vendosjes së pluralizmit në Shqipëri.

Që prej vitit 2009 – vendim i marrë nga Kuvendi i Shqipërisë – data përkujtohet si festë kombëtare.

Kjo, në nderim të të gjithë studentëve të dhjetorit 1990.

Disa pedagogë dhe studentë të Universitetit të Tiranës, më 8 dhjetor 1990 u bënë nismëtarët e kthesës historike.

Protestave që sollën rënien e sistemit komunist në Shqipëri.

Lëvizja Studentore është e vetmja Lëvizje paqësore që ndryshoi historinë e Shqipërisë.

“E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”.

Ishte motoja e atyre që kërkonin ngritjen e sistemit të vlerave perëndimore dhe të shtetit të së drejtës.

Ata i dhanë fund epokës së vetizolimit komunist dhe sundimit ideologjik.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore