Nga burgimi i përjetshëm në 35 vjet burg, Apeli ndryshon vendimin ndaj Naser Pajazitajt

SHFLETO

Naser Pajazitaj.

 

Altina Marmullaku
18.11.2022 17:30
Loading Icons...

Pas shqyrtimit të ankesave të mbrojtjes, Gjykata e Apelit ka marrë vendim që Naser Pajazitajt t’i ulët dënimi nga burgimi i përjetshëm, në 35 vjet burgim.

Lajmin e ka bërë të ditur zyrtarja për informim e Gjykatës Themelore në Ferizaj, Gentiana Hoxha për “Betimin për Drejtësi”.

Më 23 qershor të 2022, Gjykata Themelore në Ferizaj kishte marrë vendim që Pajazitaj të dënohet me dënim të përjetshëm pasi i njëjti akuzohet për vrasjen e Donjeta Pajazitajt në nëtor të 2015-s.

Në vitin 2015 në një fshat të komunës së Deçanit në Kosovë, kishte ndodhur një nga vrasjet më misterioze të pasluftës.

Një vajzë e re, Donjeta Pajazitaj, ishte zhdukur një ditë derisa po shkonte në punë. Kaluan javë të tëra dhe ajo nuk gjendej, derisa në bjeshkët e fshatit Strellc të Deçanit u gjetën mbetje të një trupi.

Pasi u lajmërua policia dhe u bë ekspertiza, u kuptua se mbetjet ishin të vajzës 24 vjeçare që po mungonte prej javësh.

Rasti është trajtuar nga të gjitha shkallët gjyqësore në Kosovë dhe janë marrë vendime kontradiktore në shkallë të ndryshme. Personi që u shpallë i pafajshëm më vonë u dënua me burgim të përjetshëm dhe më pas u kthye në rigjykim përsëri.

Tash, gjashtë vjet pas fillimit të gjykimit, prokuroria ka zbuluar prova të reja dhe të implikuar të tjerë që mund t’ia ndryshojnë rrjedhën e këtij rasti përsëri.

Saga gjyqësore ndaj Naser Pajazitajt

Sipas aktakuzës së ngritur më 8 qershor të vitit 2017 nga prokuroria Themelore në Pejë, departamenti i krimeve të rënda, me prokurore të rastit Valbona Disha Haxhosaj, Naser Pajazitaj u akuzua se më 9 nëntor 2015, në bjeshkët e Strellcit Komuna Deçan, pikërisht në vendin e quajtur te “Kroni i Lajthisë“, me dashje dhe me revole të tipit të panjohur në mënyrë mizore e ka privuar nga jeta viktimën Donjeta Pajazitaj nga po i njëjti fshat.

Në ditën kritike viktima ka qenë duke shkuar në punë në këmbë së bashku me axhën e saj dhe kur kanë arritur tek bunari i fshatit janë ndarë, ashtu që viktima ka vazhduar rrugën në drejtim të Strellcit të Epërm dhe kur afrohet përafërsisht 150 metra afër shtëpisë së Nedi Jusaj, atypari kalon i pandehuri Naser Pajazitaj me veturën e tij të tipit xhip Sheroke me ngjyrë të kaltër i cili ndalet e merr viktimën me veturë, e më pas vazhdon në drejtim të bjeshkëve të Strellcit dhe kur arrin tek “Kroni i Lajthisë” fillimisht e privon me armë duke shtënë dy herë në kokë, e më pas për të humbur gjurmë të njëjtën e mbulon me disa drunj dhe largohet nga vendi i ngjarjes.

Rreth shtatë javë më vonë, më 27 dhjetor të po atij viti, trupi i pa jetë i Donjeta Pajazitajt është gjetur nga kalimtarë të rastit.

Në mars të vitit 2018 Naser Pajazitaj u shpall i pa fajshëm nga Gjykata Themelore në Pejë, në akuzën për vrasjen e Donjeta Pajazitajt në vitin 2015, ndërsa, e ka dënuar me 2 vjet e 4 muaj burg në akuzën tjetër “armëmbajtje pa leje”.

Pas ankesave rasti kaloi në gjykim në shkallën e dytë.

Gjykata e Apelit e riktheu rastin në rigjykim.

Gjykata e Apelit, Prishtine. Foto Atdhe Mulla

Pas shqyrtimit të provave të reja, Gjykata Themelore në Pejë e dënon Naser Pajazitajn me burgim të përjetshëm më 25 marsit të vitit 2019.

Edhe këtu pati ankesa, dhe rasti kaloi në Gjykatën e shkallës së dytë e cila e konfirmoi vendimin e shkallës së parë, duke e lënë të plotfuqishëm dënimin me burgim të përjetshëm për Naser Pajazitajn.

Pas ankesave të palës mbrojtëse, rasti ka shkuar në shkallën e tretë, në Gjykatën Supreme.

Më 2 dhjetor të vitit 2019, kjo gjykatë e hedh poshtë të gjithë procesin gjyqësore, duke kërkuar që rasti të rikthehet në rigjykim, me arsyetimin se gjykatat e mëparshme kanë bërë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Pas këtij vendimi Gjykata Themelore në Pejë është përjashtuar nga gjykimi i këtij rasti. Lumturie Muhaxheri njëra nga gjyqtaret e trupit gjykues kishte bërë kërkesë për heqje të kësaj lënde nga gjykata e Pejës, me arsyetimin se në këtë rast janë përfshirë të gjithë gjyqtarët  nga Departamenti i Krimeve të rënda, dhe kanë kërkuar që rast të trajtohet në një gjykatë tjetër.

Me vendim të Gjykatës së Apelit, rasti është dërguar në gjykatën Themelore në Ferizaj.

Për herë të tretë, rasti i Donjeta Pajazitajt gjykohet nga një gjykatë e shkallës së parë.

Në Gjykatën Themelore të Ferizajt, procesi filloi në janar të vitit 2020. Donjeta Pajazitaj u vra më 9 nëntor të vitit 2015 dhe dyshohet se vrasësi është kushëriri i sajë Naser Pajazitaj.

Aktualisht në këtë proces janë duke u intervistuar disa dëshmitarë.

Pjesë e këtyre zhvillimeve brenda këtij institucioni janë bërë tani edhe letrat anonime.

Në gjithë këtë proces Prokurorja e rastit ka mbetur e njëjta.

I dyshuari kryesor për vrasje të 24 vjeçares nga Strellci, Donjeta Pajazitajt, Naser Pajazitaj rreth 65 vjeçar, aktualisht gjendet në paraburgim.

Deri në përfundim të procesit gjyqësor dhe verdiktit final për këtë rast.

Ekskluzive: Prova dhe arrestime të reja, në rastin e vrasjes misterioze të 24 vjeçares Donjeta Pajazitaj