Shqipëria

Nga arresti shtëpiak, Berisha kërkon interpelancë me Ramën


Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike paraqiti këtë të martë të 11 qershorit kërkesën për interpelancë urgjente me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Kjo duke sjellë argumentet e firmosuara nga kryetari i Rithemelimit, Sali Berisha, tashmë kryetar i Partisë Demokratike.

Njoftimi i PD-së për kërkesën për interpelancë vë në dukje se ajo bazohet në Kushtetutë dhe në rregulloren e Kuvendit dhe në mbështetje te nenit 96, pika 5 d Rregullores së Kuvendit, interpelanca do të paraqitet nga deputeti Sali Berisha.

Deputetët demokratë argumentojnë se  “ekzistojnë fakte dhe prova të pakontestueshme për përfitimin e miliona eurove, para publike, nëpërmjet subjekteve tregtare të lidhura drejtpërdrejt me të afërm të kryeministrit Edi Rama, apo të dhënat shqetësuese lidhur me tenderat sekrete, përfitues të të cilëve rezultojnë subjekte dhe individë të lidhur me qeverinë Rama”.

Kështu me këtë lëvizje – sipas rregullores – deputeti demokrat ka të drejtën e paraqitjes në interpelancës, duke e lexuar nga salla e Kuvendit të Shqipërisë.

Por Berisha aktualisht ndodhet në arrest shtëpie dhe më 21 qershor atij i përfundon mandati, pasi ka gjashtë muaj pa u paraqitur në Kuvendin e Shqipërisë.

Deri më tani bëhet me dije se Nikolla nuk e ka futur kërkesën e Berishës në rendin e seancës plenare.

Sa i takon interpelancës, në pikën e parë Berisha shkruan për “përfshirjen e vajzës së bashkëshortes së Ramës, e cila sipas Berishës “ka përfituar 33 pagesa për kontrata publike në vlerën 1.9 miliard lekë”.

Në argumentimin e dytë ai përmend rastin ku “baxhanaku i kryeministrit Edi Rama, ka përfituar 51 tendera publike me vlere totale 21.7 milionë euro, nga të cilat 31 transaksione me vlere 3.8 miliardë lekë ose 3.1 milionë euro”.

Në argumentimin e tretë Berisha rithekson kontratat sekrete, të zhvilluara kryesisht nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Mbrojtjes ku janë realizuar 17 tendera me vlerë mbi 35 milionë euro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore