Lajme

Nga 6 milionë euro do të investohen në 47 objekte të Prishtinës përmes marrëveshjes për efiçiencë të energjisë


Ministri i Financave, Hekuran Murati, drejtori i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në Kosovë, Sergiy Maslichenko dhe kryetari i Prishtinës, Hekuran Murati.

Ministria e Financave, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Komuna e Prishtinës, kanë nënshkruar marrëveshjen për projektin për efiçiencë të energjisë në ndërtesa publike në Prishtinë, me vlerë prej 6 milionë eurove.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati, ka deklaruar se përmes këtij projekti do të investohet në 47 ndërtesa publike.

“Ky projekt vjen si vazhdim i mbështetjes së komunave. Sot me Komunën e Prishtinë po e thellojmë edhe një marrëveshje tjetër është marrëveshja për efiçiencë të energjisë e cila ka për qëllim përmirësimin e infrastrukturës së brendshme të ndërtesave publike në Prishtinë, duke garantuar sistem të ngrohjes të cilat janë më efiçiente”, ka thënë Murati.

Sipas tij, përmes këtij projekti do të mundësohet kursimi i energjisë.

“Me këtë marrëveshje do të zëvendësohen dyert dhe dritaret, do të bëhet edhe izolimi termik i 47 ndërtesave publike, ku përfshihen kopshte, shkolla dhe qendra për kujdesin shëndetësor primar”.

Në këtë takim drejtori i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në Kosovë, Sergiy Maslichenko, është shprehur se ky projekt do të ketë sukses të madh dhe se ndihma ndaj Kosovës do të vazhdoj.

“Dëshiroj që të ju pergëzoj për këtë projekt të vogël, por shumë të rëndësishëm për qytetarët. Ky është një projekt pilot që të shohim se si do të funksionojnë këto mekanizma me këtë ekspertizë, ky projekt do të jetë i suksesshëm”.

“Ne në Kosovë do të jemi edhe me ambicioz sepse kemi shumë objekte publike në vend. Ne dëshirojmë që të modernizojmë objekte në mbarë Kosovën, do të mbështesim edhe sektorin privat”, tha ai.

Ndërsa, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se ky është një projekt me rëndësi të madhe për kryeqytetin.

“Është me rëndësi shumë të madhe që ndërtesat të cilat sot janë në kryeqytet të restaurohen, jo vetëm ne aspektin e rrymës të cilin e shpenzojmë, por edhe në aspektin e ambientin të cilin e krijojmë”.

“Në 47 ndërtesa në kryeqytete do të kemi një ambient më të mirë”,pohoi Rama.

Më 22 nëntor edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte ftuar bizneset që të investojnë në pajisje efiçiente për ngrohje si pompë termike, kondicionerë, kaldajë me biomasë dhe stufa individuale me biomasë, përmes subvencionimit të Qeverisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore