Lajme

“NFT-të janë të bazuara në teorinë e budallait më të madh”, thotë Gates


Miliarderi i teknologjisë, Bill Gates, i ka hedhur poshtë NFT-të si “100 për qind të bazuara në teorinë e budallait më të madh” – koncepti financiar që edhe asetet e mbiçmuara mund të bëjnë para, për sa kohë që gjendet një idiot më i madh për t’i shitur ato.

Duke folur në një ngjarje mbi ndryshimet klimatike të organizuar nga TechCrunch, Gates tha se ai preferonte të investonte në asete me rezultate të prekshme, si ferma ose fabrika, “ose në një kompani ku prodhohen produkte” dhe se ai nuk mbante asnjë pozicion në kriptomonedha ose NFT.

Gates është gjithashtu dyshues për asetet e krijuara për të “shmangur taksat ose çdo lloj rregulli qeveritar”.

“Natyrisht, imazhet digjitale të shtrenjta të majmunëve do ta përmirësojnë botën jashtëzakonisht”, ironizoi Gates, duke iu referuar projektit kryesor NFT, “Bored Ape Yacht Club”.

Bored Ape Yacht Club

Nuk është hera e parë që Gates shpreh skepticizëm për kriptovalutat.

Në një intervistë nga shkurti i vitit të kaluar, ai shqetësohej për rreziqet e investitorëve të rregullt që blejnë Bitcoin, veçanërisht kur vlera e kriptomonedhës ishte kaq e paqëndrueshme dhe mund të luhateshin në bazë të një postimi në Twitter nga një investitor i shquar, si Elon Musk.

“Mendimi im i përgjithshëm do të ishte që, nëse keni më pak para se Eloni, ndoshta duhet të keni kujdes”, tha Gates në vitin 2021.

Paralajmërimet e Gates për paqëndrueshmërinë ishin në vend.

Kur ai po fliste në vitin 2021, Bitcoin po rritej në çmim dhe do të arrinte një lartësi prej 63 mijë dollarësh. Më pas do të binte në mënyrë dramatike, përpara se të ngrihej sërish në një nivel më të lartë të të gjitha kohërave prej më shumë se 64 mijë dollarë nëntorin e kaluar.

Që atëherë, çmimi i Bitcoin ka rënë edhe një herë dhe, në kohën e shkrimit të këtij artikulli, tregtohet pak mbi 20 mijë dollarë (AP).

Kjo rënie dramatike është pjesë e një grupi më të gjerë konvulsionesh që tronditin botën e kriptove, pas rënies së të ashtuquajturit “stablecoin” Terra në maj dhe dështimit të vazhdueshëm të platformës Celsius të kreditimit të kriptove.

Në mënyrë të ngjashme, çmimet për NFT-të gjithashtu kanë rënë ndjeshëm.

Disa nga projektet më të mëdha, si Bored Ape Yacht Club i lartpërmendur, kanë rënë më shumë se gjysmën e vlerës.

Në të njëjtën kohë, vëllimi i tregtimit është rritur, pasi blerësit kërkojnë të kapin asetet digjitale me çmime më të ulëta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore