Vende

New York-u dhe Singapore-i, qytetet më të shtrenjta në botë për vitin 2022


New York-u ka qenë metropoli më i shtrenjtë në botë këtë vit, duke ndarë titullin e padëshiruar me Singapore-in.

E gjitha pasi rritja e çmimeve të energjisë dyfishoi normën e inflacionit në qytetet kryesore globale.

Kështu ka rezultuar nga sondazhi vjetor i Economist Intelligence Unit.

Tel Aviv, udhëheqësi i vitit të kaluar ka zbritur në vendin e tretë, ndërsa Sydney u fut në listën e dhjetë vendeve të para.

Kryeqyteti i Venezuelës, Caracas, me rritjen e çmimit prej 132 për qind në vitin 2022, ishte shumë më i ulët se niveli i hiperinflacionit të vitit 2019. Por mbeti shumë i lartë për t’u përfshirë në sondazh.

Inflacioni mesatar prej 8.1 për qind në terma të monedhës vendase ishte ende më i larti në më shumë se dy dekada sondazhesh.

Po ashtu monedha më e fortë ka qenë një faktor që ndikoi në rritjen në renditje të vendeve.

Monedha amerikane është forcuar ndjeshëm kundrejt pothuajse të gjitha monedhave pasi Rezerva Federale e SHBA-ve rriti normat e interesit dhe sinjalizoi rritje të tjera që do të vijnë.

Ndërsa qytetet në vendet ku monedha e tyre ra, u shfaqën në mesin e atyre që zbritën në listën e qyteteve më të kushtueshme.

Tokyo dhe Osaka e Japonisë janë ndër dhjetë rëniet më të mëdha, duke përfunduar në vendin e 37-të dhe të 43-të respektivisht, nga vendi i 13-të dhe i 10-të në vitin 2021.

Stockholm-i dhe Luxembourg-u kanë rënë edhe më shumë, respektivisht në vendin e 99-të dhe 104.

Sakaq, Damasku në Siri dhe Tripoli në Libi ruajtën vendet e tyre si qytetet më të lira të anketuara.

Vendosja e Singapore-it në krye të indeksit ishte surprizë.

Qyteti-shtet ishte i dytë më i shtrenjtë në vitin 2021 dhe ka qenë numri 1 në tetë nga dhjetë vitet e fundit. Këtë vit ishte hera e parë që u rendit në vendin e parë.

Lidhur me qytetet në Mbretërinë e Bashkuar, Londra është tani në vendin e 28-të nga e 17-ta në vitin 2021. Edinburgh-u u rendit në vendin e 46-të, nga i 27-ti, ndërsa Manchester-i ishte i 73-ti më i shtrenjtë krahasuar me vendin e 41 vitin e kaluar.

Rritja globale e inflacionit kishte nisur përpara pushtimit rus të Ukrainës në shkurt, që shkaktoi ndërprerje në furnizimet me mallra kryesore.

Sanksionet e mëvonshme ndaj Rusisë nxitën rritje të mëtejshme të çmimeve të naftës dhe gazit, çka shtyu edhe më tej inflacionin.

Ndërkohë, Economist Intelligence Unit parashikon lehtësim të rritjeve të kostove në vitin 2023 pasi normat më të larta të interesit heqin një pjesë të presionit të kërkesës dhe bllokimet e zinxhirit të furnizimit fillojnë të lehtësohen.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore