Lajme

“New York Times” gati për largimin e parë masiv të stafit në 40 vjet


“New York Times” po përgatitet për një largim 24-orësh nga qindra gazetarë dhe punonjës, në grevën e parë të këtij lloji në gazetë në më shumë se 40 vjet.

Punonjësit e redaksisë kanë thënë se janë të ngopur me marëveshjet që janë zvarritur që nga skadimi i kontratës së tyre të fundit në mars 2021.

Jo më larg se javën e kaluar është njoftuar se më shumë se 1 mijë e 100 punonjës do të bënin një ndalesë pune 24-orëshe duke filluar në orën 12.01 të mëngjesit të së enjtes.

E gjitha kjo nëse të dyja palët nuk arrijnë një marrëveshje kontrate.

Negociatat zgjatën për më shumë se 12 orë deri të martën vonë dhe vazhduan deri të mërkurën, por palët mbetën shumë larg marrëveshjes.

Sidomos për çështje të tilla si rritja e pagës dhe politikat e punës në distancë.

Sipas punonjësve, marrëveshja nuk u arrit dhe largimi i tyre po ndodhte.

“Ne e dimë se çfarë vlejmë”, ka thënë sindikata e punonjësve NewsGuild.

Zëdhënësja e “New York Times”, Danielle Rhoades Ha, ka thënë se ata ishin ende në negociata kur u tha se greva po ndodhte.

“Është zhgënjyese që ata po ndërmarrin një veprim kaq ekstrem kur ne nuk jemi në një ngërç”, ka ravijëzuar ajo.

Mbetet e paqartë se si do të ndikohet mbulimi i ditës pasi mbështetësit e grevës përfshijnë anëtarë të redaksisë që mbulojnë lajmet e fundit për gazetën digjitale.

Sakaq, punonjësit po planifikojnë një tubim për të enjten pasdite jashtë zyrave të gazetës pranë Times Square.

“Teksa jemi të zhgënjyer që NewsGuild po kërcënon të godasë, ne jemi të përgatitur të sigurojmë që të vazhdojë t’u shërbejmë lexuesve tanë pa ndërprerje”, ka thënë Rhoades Ha.

Por kjo nuk është greva e parë me të cilën përballet “New York Times”.

Në gusht u përball me një protestë gjysmë ditore nga një sindikatë e re që përfaqëson punëtorët e teknologjisë që pretendonin praktika të padrejta të punës. Dhe kompania u detyrua të gjente një zgjidhje.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore