Përballje

New Orleans Pelicans me rikthim historik dhe Nets mposhtin LA Clippers


Të dielën drama mbizotëroi në ndeshjet e NBA.

Ishte përballja mes New Orleans Pelicans dhe Boston Celtics e cila shkoi në kohë shtesë pas një ndeshje dramatike.

Po ashtu ishte edhe loja mes Los Angeles Clippers dhe Brooklyn Nets e cila përfundoi me rezultat të ngushtë, por me fitore të Nets.

Ndeshja mes Pelicans e Celtics ishte një nga më të mirat këtë sezon. Dy çerekët e parë ishin të barabartë ku nuk kishte dominim total nga Pelicans ose Celtics.

Në çerekun e tretë Boston Celtics arritën të marrin një epërsi të thellë prej 24 pikëve.

Pelicans kanë thyer rekordin e skuadrës, duke kthyer rezultatin prej 24 pikëve në vetëm 18 minuta. Ndeshja shkoi në kohë shtesë dhe përfundoi me rezultat 120-115 në favor të Pelicans.

Më të dalluarit te Pelicans ishin Brandon Ingram me 33 pikë e 6 kërcime dhe ishte vendimtar në kohën shtesë, Zion Williamson i cili kishte 28 pikë e 10 kërcime, ky i fundit duke u treguar vendimtar në kohën e rregullt.

Josh Hart po ashtu kontribuoi me 17 pikë e 10 kërcime dhe Lonzo Ball me 16 pikë e 6 kërcime.

Ndërsa te Celtics ishte Jayson Tatum me 32 pikë e 9 asistime i cili kishte shënuar për të barazuar rezultatin ne kohën e rregullt dhe Jaylen Brown i cili kishte 25 pikë, 6 kërcime e 9 asistime.

Ndërsa ndeshja mes Clippers dhe Nets përfundoi me rezultat 112-108 në favor të Nets të cilët arritën fitoren e tyre të gjashtë radhazi.

Edhe pse me mungesën e Kevin Durant, Nets shënuan fitore.

Shkaku i performancës fantastike të James Harden, mungesa e Kevin Durant nuk u vërejt shumë.

Më të dalluarit në ekipin e Nets ishin James Harden, i cili realizoi dyshifrorë të dyfishtë me 37 pikë, 11 kërcime e 7 asistime. Për fitoren e Nets kontribuoi edhe Kyrie Irving me 28 pikë e 8 asistime.

Ndërsa te Clippers më të mirët ishin Kawhi Leonard me 29 pikë e 13 kërcime dhe Paul George me 34 pikë, 6 kërcime e 7 asistime. Këta dy të fundit nuk kishin ndihmë nga pjesa tjetër e ekipit, dhe kjo ishte arsyeja pse nuk mundën të fitonin edhe pse kishin performanca të shkëlqyera.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore