Sport

Neville cilëson United si “varrezë për futbollistët”, dy transferime të suksesshme që nga 2013


Legjenda e Manchester United, Gary Neville, ka reaguar 48 orë pas poshtrimit që skuadra mori nga Brentford-i në Premier League.

Neville dhe kolegu i tij Jamie Carragher e “gozhduan” performancën e dobët të United dhe problemet e rrënjosura në “Old Trafford”.

Sipas Neville, United që nga viti 2013 ka bërë vetëm dy transferime të suksesshme nga 33 që është numri total dhe që kap një shifër 1.25 miliardë paund.

Vetëm Zlatan Ibrahimovic dhe Bruno Fernandes morën miratimin e Neville.

Shtatë transferime, duke përfshirë Cristiano Ronaldo-n dhe Harry Maguire-n morën një vlerësim neutral. Ndërsa 24 të tjerë ishin “dështim” i plotë.

Paul Pogba, Alexis Sanchez, Jadon Sancho, apo dhe Morgan Schneiderlin janë zhgënjimet e mëdha në “Old Trafford”.

“United ka përplasje mes menaxherëve dhe strategjive. Isha i emocionuar për shumë nga ato nënshkrime, edhe vitin e kaluar me Sancho, Raphael Varane dhe Ronaldo. Është bërë një varrezë për futbollistët ky klub”, tha Neville.

“Shtatëdhjetë e pesë për qind e atyre nënshkrimeve nuk kanë funksionuar. Katër ose pesë për qind kanë funksionuar – kjo është një histori horror”.

“Ne i kemi fajësuar shumë lojtarët gjatë dhjetë viteve të fundit. Kur një shkollë ka performancë të dobët, qeveria merr masa të veçanta dhe nuk fajësohen fëmijët”, vijoi ai.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore