Vende

Netët e qëndrimit të turistëve të huaj u rritën me thuajse 100% gjatë nëntorit 2023 në Shqipëri


Sektori i akomodimit në Shqipëri ka parë një rritje të madhe në numrin e netëve të qëndrimit nga turistët e huaj në vend, duke shënuar 97.5% më shumë netë në nëntorin e vitit 2023, krahasuar me të njëjtën periudhë në vitin 2022.

Ky është edhe një tregues se Shqipëria tashmë po shihet si një destinacion jo thjesht për muajt e verës, por në 365 ditët e vitit.

Në tërësi, gjatë nëntorit 2023, numri i vizitorëve u rrit me 43.5%.

Kjo shifër lind si një kombinim i rritjes prej 26% të vizitorëve rezidentë në Shqipëri dhe rritjes 60.3% të atyre jo-rezidentë.

Pikërisht këta të fundit, turistët e huaj, janë përgjegjës për shtimin e madh të mbushjes së strukturave akomoduese në vend.

Nëse përllogaritet numri total i netëve të qëndrimit, ai shënon rritje me 79.8%, duke përfshirë rritjen 55.7% për netët e qëndrimit nga rezidentët dhe 97.5% nga jo rezidentët.

Në total, përllogaritet se për shtetasit rezidentë, ka pasur 38 mijë e 247 netë qëndrimi dhe për të huajt, 63 mijë e 681.

Shumica e tyre, mbi 97%, janë akomoduar në struktura hoteliere dhe një numër i vogël në akomodime për pushime, apo hapësira për kampingje.

Sipas rajoneve, ai qendror ka qenë më i ngarkuari, pasi 52% e netëve të qëndrimit përkasin pikërisht aty.

Surprizues ka qenë fakti se veriu ka qenë më i prenotuar se jugu nga të huajt, teksa nga shqiptarët ka qenë më i vizituar jugu.

Shumica e prenotimeve gjithsesi nuk lidhen me zonat bregdetare, pasi mbi 65% e rezervimeve kanë qenë në zona jo bregdetare.

Sipas ndarjes, pjesa më e madhe e turistëve jo rezidentë kanë qenë nga Kosova, 10.7% e totalit, 10.5% kanë qenë italianë (rritje e madhe e tyre) dhe 4.6% kanë qenë gjermanë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore