Lajme

Netanyahu fton liderët e opozitës të formojnë “qeverinë emergjente”


Kryemnistri i Izraelit, Benjamin Netanyahu ka ftuar liderët e opozitës Lapid dhe Gantz për të formuar një qeveri uniteti, sipas partisë së tij Likud.

Lapid kishte kërkuar më parë të bashkohej me Netanyahun për të treguar unitet. Gantz thuhet se i ka thënë Netanyahut se po shqyrton ofertën.

Udhëheqësi i opozitës në Izrael Yair Lapid bën thirrje për një “qeveri emergjente” për të menaxhuar “operacionin e vështirë dhe kompleks përpara nesh”.

“Shteti i Izraelit është në luftë. Nuk do të jetë e lehtë dhe nuk do të jetë e shkurtër. Ka pasoja strategjike të cilat nuk i kemi parë për shumë vite. Ekziston një rrezik serioz që ajo të bëhet një luftë me shumë fronte”, thotë Lapid në një njoftim.

“Pak momente më parë u takova me kryeministrin Netanyahu. I thashë se në këtë situatë emergjente jam i gatshëm të lë mënjanë mosmarrëveshjet tona dhe të formojmë një qeveri emergjente, të ngushtë, profesionale me të për të menaxhuar operacionin e vështirë dhe kompleks që kemi përpara”.

Netanyahu, thotë ai, “e di se me kabinetin aktual ekstrem dhe jofunksional të sigurisë, ai nuk mund të menaxhojë një luftë. Izraeli duhet të udhëhiqet nga një qeveri profesionale, me përvojë dhe e përgjegjshme. Nuk kam dyshim se edhe ish-ministri i Mbrojtjes [Benny] Gantz do t’i bashkohej një qeverie si kjo”.

“Formimi i një qeverie profesionale emergjente do t’u bëjë të qartë armiqve tanë se shumica dërrmuese e qytetarëve izraelitë qëndrojnë prapa IDF-së dhe forcave të sigurisë. Do t’i bëjë të qartë botës, komunitetit ndërkombëtar, se populli i Izraelit qëndron i bashkuar kundër këtij kërcënimi”, thotë Lapid.

Sipas tij, shteti i Izraelit pësoi një goditje të rëndë sot.

“Të gjithë jemi të lënduar, të gjithë jemi të zemëruar. Megjithatë, luftërat dhe vendet nuk menaxhohen me dhimbje dhe zemërim, por me qetësi dhe një kuptim strategjik të situatës”, vërejti opozitari.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore