Lajme

Nëse Serbia u shpëton sanksioneve, Kosova s’do jetë viktima e vetme, i gjithë rajoni është në rrezik – Osmani për mediumin kroat


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për Radio Televizionin Publik të Kroacisë – HRT, ka thënë se shteti kroat mund të kontribuojë për vendosjen e sanksioneve ndaj Serbisë pas sulmit terrorist të 24 shtatorit, në mënyrë që mos ta përsërisë më këtë akt të agresionit.

“Ne besojmë se Kroacia realisht mund të kontribuojë që pas këtij akti agresioni ndaj shtetit të Kosovës të ketë masa që do ta detyrojnë Serbinë të mos e përsërisë këtë akt agresioni. Nëse iu ikin tani (sanksioneve), Kosova nuk do të jetë viktima e tyre e vetme, por në fakt i gjithë rajoni është në rrezik dhe një front i ri do të ndërtohet për Rusinë në Ballkanin Perëndimor”, tha Osmani.

Osmani ka theksuar se Serbia më 24 shtator synonte “aneksimin e pjesës veriore të Kosovës” dhe nuk do të ndalej me kaq, “por do të destabilizonte të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”.

“Shteti serb ka kohë që e financon hapur “Brigadën e Veriut” dhe “Mbrojtjen Civil’, sidomos muajt e fundit. Stërvitja e tyre u zhvillua në objektet dhe bazat ushtarake serbe, në livadhet e Pasuljanskit dhe në baza të tjera ushtarake. Për këtë ka dokumentacion dhe material të regjistruar. Industria ushtarake serbe prodhoi armët që ne i konfiskuam, të cilat i përkisnin ‘Brigadës së Veriut’ dhe ‘Mbrojtjes Civile’, pasi më parë i përkisnin vetë ushtrisë serbe”, shtoi ajo.

Sipas saj, Serbia nuk ka përfituar nga sulmi i 24 shtatorit, teksa shton “lidershipi serb nuk është i arsyeshëm dhe nuk e ka parasysh përparimin e Serbisë, paqen dhe stabilitetin afatgjatë të këtij rajoni”.

“Fatkeqësisht, sot Serbia sundohet nga i njëjti mentalitet i viteve nëntëdhjetë dhe duan të na rikthejnë në atë epokë”.

Ajo është pyetur edhe për “presionin” e Bashkimit Evropian ndaj Qeverisë së Kosovës për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Ajo që është objekt i marrëveshjes së Ohrit dhe Brukselit është një e drejtë e caktuar e vetëqeverisjes së popullit serb dhe për disa parime janë rënë dakord, para së gjithash me partnerin tonë kryesor, me ShBA-në, që dikton që Kushtetuta e Kosovës duhet të respektohen para së gjithash dhe parimet janë të tilla që serbët mund ta ushtrojnë atë të drejtë”, potencoi Osmani.

“Kjo nuk do të thotë që ne duhet të pretendojmë se nuk ka ndodhur asgjë dhe Bashkimi Evropian nuk duhet të heshtë për atë që ndodhi më 24 shtator”, shtoi ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore