Lajme

Nëse mbetet e ngrirë, paqja mbetet në ajër


Paqja e ngrirë dhe asnjëherë e mbyllur – pavarësisht mundësive të mira – në Nagorno- Karabakh u shkri për t’u shkërmoqur të martën e 19 shtatorit, kur Azerbajxhani bombardoi instalimet ushtarake dhe infrastrukturat e Ushtrisë së Mbrojtjes armene (apo Republikës së Artsakh-ut siç e quajnë armenët).

De facto, pas qindra të vrarësh,  gjithçka u mbyll dhe përfundoi në pasditen e 20 shtatorit me dorëzimin përfundimtar të separatistëve armenë dhe liderët që pranuan kushtet e Baku-t.

Në qytetin e Jervlakh filluan negociatat mes autoriteteve të Nagorno -Karabakh dhe atyre azere, por të cilat u mbyllën pa asnjë akord.

Pavarësisht humoreve apo deklaratave, Qeveria azere në bashkëpunim me Moskën, arriti një marrëveshje për shpërbërjen dhe çarmatimin e plotë të forcave të armatosura dhe largimin e të gjitha pajisjeve dhe armëve të rënda nga Artsakh-u, ndërkohë që bisedime mes dy palëve do të duhet të vendosnin garanci për të drejtat e popullsisë etnike armene.

Megjithatë, në vend të kësaj, rajoni sot përballet me një eksod masiv armen nga Karabakhu drejt shtetit amë, nën paralajmërimin e një frike të qartë spastrimi etnik dhe de-armenizimi të zonës.

19 mijë armenë janë larguar tashmë nga Nagorno-Karabakh

Zgjedhja e Baku-t për një bombardim të instalimeve ushtarake, pas 10 muajsh bllokim të korridorit të Laçinit, duhet të lexohet si një shtytje e unifikimit të territorit, në një periudhe kur Moska nuk ka më fuqinë e mëparshme.

Kjo si pasojë e luftës në Ukrainë, por edhe afrimit të kryeministrit armen, Nikol Pashinyan, me Perëndimin dhe veçanërisht me NATO-n.

Azerbajxhani duket i bindur në vullnetin e tij për të vendosur një status quo të ri përmes kësaj ndërhyrjeje ushtarake, pa pasur nevojë të paguajë çfarëdo pasoje – as ushtarake, as ekonomike, as politike.

Azerbajxhani ndal operacionin në Karabakh, kërkon ‘normalizmin’ e raporteve me Armeninë

Ndërsa Azerbajxhani sulmonte, paqeruajtësit rusë qëndruan pranë dhe vëzhguan. Por kaq…

Mbështetja e SHBA-ve dhe Evropës për Armeninë ka qenë e kufizuar nga ana tjetër në shprehjet e ‘shqetësimit të thellë’, dhe të dënimit të bombardimeve, por në realitet pa asnjë pasojë të dukshme.

As Moska nuk ka ndërmend ta bëjë, pasi si Azerbajxhani ashtu edhe aleati i saj i ngushte, Turqia, kanë rëndësi strategjike të veçantë që nga fillimi i luftës në Ukrainë vitin e kaluar.

Është e qartë që ky konflikt i fundit, ku Qeveria e Yervan-it as nuk përfshihet në hartimin e planit të armëpushimit, do të shënojë përfundimisht linjën ndarëse me Moskën.

Megjithatë, një ripozicionim i dukshëm i Qeverisë së Pashinyan dhe opinionit publik armen ka ndodhur që kur lideri i vendit deklaroi se varësia nga Moska si burimi i vetëm i sigurisë ishte një “gabim strategjik”.

Kryeministri armen thotë se mbështetja vetëm tek Rusia për sigurinë ishte ‘gabim strategjik’

Armenia do të deklaronte edhe mundësinë e nënshtrimit në juridiksionin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale dhe dërgoi ndihma humanitare në Ukrainë për herë të parë, me gruan e Pashinyan, Anna Hakobyan, në një vizitë zyrtare në Kiev.

Megjithatë, Rusia nuk ndërhyri kur Azerbajxhani kreu sulme kundër Armenisë në vjeshtën e vitit 2022 dhe sipas armëpushimit të vitit 2020, paqeruajtësit rusë duhej të mbronin tranzitin përmes korridorit të Laçinit dhe të siguronin popullsinë lokale në Nagorno-Karabakh.

Kontingjenti rus ishte në territor, por nuk bëri asgjë kur për muaj të tërë Azerbajxhani shkeli haptazi angazhimin e tij për të garantuar tranzitin përmes këtij korridori komunikimi.

Rusia është plotësisht e zhytur në pushtimin e Ukrainës dhe nuk është në gjendje të ndërhyjë  me vendosmëri në mbrojtje të aleatit të saj rajonal në Kaukazin e Jugut. Ndaj dhe Moska synon të fajësojë për ngjarjet e ditëve të fundit kryeministrin armen, Nikol Pashinyan.

Rusia sulmon diplomatikisht Armeninë, gjithë fajin e dështimit të negociatave ia hedh Pashinyan-it

Thuajse një linçim publik diplomatik Moska ia bëri si rrallëherë kryeministrit armen.

“Në thelb, kreu i qeverisë armene pranoi se vendi i tij ka qenë i përgatitur me vetëdije për t’u larguar nga Rusia gjatë gjithë kësaj kohe”.

“Sikur Nikol Pashinyan të kishte rënë dakord për një armëpushim disa javë më parë, disfata do të kishte qenë më pak e rëndë”.

“Për shkak të gjykimit të dobët të udhëheqjes armene, disa marrëveshje që synonin rritjen e sigurisë së Armenisë, duke përfshirë vendosjen e një misioni vëzhgues të CSTO-së në zonat në kufi me Azerbajxhanin, nuk u krijuan”.

Këto disa prej akuzave të Ministrisë së Jashtme ruse, ndaj gjykimeve të dobëta të Pashinyan në gjithë rrjedhën e çështjes.

Pasojë e situatës për Qeverinë armene, prioritet mbetet ruajtja e sovranitetit dhe shmangia e një lufte të re në territorin e saj.

Armenët e Karabakh-ut thonë se armëpushimi po zbatohet, ndihma humanitare po vjen

Realisht, Yerevani do të kishte pak mundësi për të vepruar drejtpërdrejt për të forcuar pozitën e komunitetit armen të Nagorno-Karabakhut. Çdo iniciativë e këtij lloji do të përdorej nga Azerbajxhani si pretekst për hakmarrje ushtarake në shkallë më të gjerë.

Situata e Armenisë përkeqësohet akoma më shumë nga inercia e aleatit të saj kryesor, Federatës Ruse.

Konfikti i Nagorno-Karabakhut nuk shënjon vetëm ato mes dy vendeve të përfshira, por krijon edhe balancë të interesave strategjike në rajon midis Rusisë, Turqisë dhe Iranit.

Pa dyshim, në këto rrethana, Armenia po rivlerëson gjithashtu përfshirjen e saj në aleancën ushtarake të CSTO-së.

Pashinyan deklaroi gjithashtu se Rusia po “largohet spontanisht nga rajoni”, duke justifikuar zgjedhjen politike për të organizuar një stërvitje të përbashkët me Qeverinë amerikane.

Distancimi i fundit i Yerevan-it nga Moska dhe afrimi i tij me Washingtonin dhe Brukselin po rrezikon gjithashtu marrëdhënien historike me Teheranin, me të cilin ndan një kufi në korridorin Zanzegur, i cili është gjithashtu strategjik për azerët.

Nga ana tjetër, Baku ka marrë mbështetje të fortë nga Turqia dhe Izraeli në vitet e fundit dhe ka konsoliduar ndjeshëm aftësitë e tij ushtarake.

Sa i përket Bashkimit Evropian, falë shfrytëzimit të naftës dhe gazit natyror, Azerbajxhani ka fituar ndikim të konsiderueshëm politik. Burimet energjetike të Azerbajxhanit janë bërë edhe më të rëndësishme për Bashkimin Evropian, pavarësisht pse janë një pjesë e vogël dhe jo thelbësore e sistemit të furnizimit me energji të kontinentit.

Baku është në fakt një burim i rëndësishëm diversifikimi nga gazi rus për Evropën, me të cilin është i lidhur nëpërmjet tubacioneve të gazit TANAP dhe TAP.

Situata është tejet e komplikuar dhe asnjë nga pyetjet që mund të bëjmë në këto çaste nuk mund të marrë një përgjigje të saktë. Ajo që është e sigurt ama, është fundi de facto i autonomisë së Nagorno-Karabakhut, ku lufta më e madhe do të duhej të bëhej për të shmangur 120 mijë njerëz të largohen drejt Armenisë, me një pikëpyetje të madhe në përfundim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore