Lajme

Nëse deputetët e mazhorancës shkojnë në kuvend, pritet të votohet projektligji për Prokurorin e Shtetit e disa projektligje për energjetikën


Kuvendi i Kosovës

Një ditë më parë seanca e kuvendit dështoi. Nuk u mbajt asnjë votim për pikat e rendit të ditës për shkak të mungesës së deputetëve nga partia në pushtet. Por, kjo gjë pritet të mos përsëritet edhe sot.

Kuvendi i Kosovës ka thirrur sërish seancë plenare këtë të enjte për të diskutuar dhe votuar pika e projektligje të mbetura në sirtar të kuvendit nga 2 shkurti i këtij viti.

Mbledhja e Kuvendit është paralajmëruar të nisë nga ora 10:00.

Seanca pritet të filloj me diskutime jashtë rendit të ditës, për të vazhduar më pas me votimin në lexim të dytë të Projektligjit për Prokurorin e Shtetit.

Deputetët do të shqyrtojnë Propozim-rezolutën për shpenzimet e parasë publike për dy vite mandat të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje.

Më pas, do të shqyrtohet edhe Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për rindërtim dhe zhvillim për Projektin “Ngrohtorja solare e Prishtinës”.

Do të shqyrtohet edhe një projektligj që ka të bëj me energjinë elektrike. Më saktë Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë dhe projektit ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, KOSTT (Operator sistemi, transmisioni dhe tregu sh. A.) dhe Frankfurt am Main (KFW).

Votimi në lexim të dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të Agjencive Ekzekutive.

Votimi i rekomandimeve lidhur me Raportin e auditimit të teknologjisë së informacionit “Sistemi për Menaxhimin e Pagave”,

Dhe, pritet të votohet rekomandimet lidhur me Raportin e auditimit: “Funksionimi i sistemit të Grantit të Performancës Komunale dhe menaxhimi i projekteve të financuara nga Donatorët për vitin 2021”.

“Kjo legjislaturë nuk e meriton të vazhdojë” – Kujt i foli Glauk Konjufca?

Aq të papërgjegjshëm po tregohen deputetët e mazhorancës në këtë legjislaturë në Kosovë, saqë kryetarit të Kuvendit, i kanë shkaktuar dyshime a duhet të vazhdojnë të jenë deputetë të Kosovës, apo jo.

Glauk Konjufca, i mllefosur me pamundësinë e Lëvizjes Vetëvendosje për të sjellur deputetët në sallë, një ditë më parë, ka vënë në pikëpyetje nëse ia vlen të vazhdohet fare – jo veç seanca, po mandati në përgjithësi.

“Qysh p’e shoh këtë sjellje të papërgjegjshme të disa deputetëve, unë nuk po mendoj se kjo legjislaturë e meriton të vazhdojë”, tha Konjufca.

“Mazhoranca nuk po mund t’i sjellë deputetët, kështu që shihemi në orën 12:00 kur po më premtojnë që i sjellin”, deklaroi Konjufca dhe mbylli seancën.

Por, mazhoranca prapë nuk solli deputetët, as pas dy orësh pritje, dhe u desh të ndërpritej fare.

Në zemërimin e tij, Konjufca mund të ketë bërë shkelje parlamentare, sepse nuk ishte se mungonte kuorumi (shumica e thjeshtë prezentë në sallë), meqë deputetët e opozitës ishin në sallë bashkë me një pjesë të deputetëve të pozitës dhe kuorum kishte.

Çfarë nuk kishte, ishte vota pozitive për votimin e disa pikave, të cilat qeveria i do të votuara.

Këtë të mërkurë në rend dite ishte votimi i Raportit të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Kosovës si dhe 35 pika të tjera të papërfunduara nga seancat e kaluara.

Konjufca u arsyetua se meqë partitë opozitare kanë votuar kundër, tani i duhet të dijë vetëm si votojnë pozita dhe meqë ata s’po vijnë në sallë, më mirë të anulohet.

“Prapë nuk ekziston mundësia të vazhdojmë, kështu që ju lajmërojmë për seancën tjetër”, pohoi Konjufca dhe e mbylli seancën.

Pse nuk po vijnë deputetët e pozitës në senca?

Ndodh shumë shpesh që shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, të shihet nëpër Kuvend tek vrapon për të mbledhur deputetët si nxënës shkolle.

“Ulmu bre qaty”, dëgjohej njëherë t’i thoshte një deputeti, derisa hulumtonte me sy për të parë se kush po i mungon.

Pa ndonjë arsyetim, në këto seancat e Kuvendit po ndodhë shumë shpesh që të mungojnë pikërisht deputetë të pushtetit.

Prandaj, ka raporte e ligje që kanë mbetur të pa votuara qysh nga 2 shkurti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore