Libra

Nëntë vjet nga vdekja “misterioze” e Ali Podrimjes


Ali Podrimja - Poet

Janë bërë nëntë vjet që kur poeti i njohur nga Gjakova, Ali Podrimja, ishte gjetur pa shenja jete në qytetin Lodve të Francës me datë 21 korrik të vitit 2012.

Aso kohe, Podrimja, kishte udhëtuar drejt shtetit francez për të marrë pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë në Francë – “Voix de la Mediterranee”.

Por, vizita e tij e vitit 2012 rezultoi të ishte fatale pasi që Aliu ishte denoncuar si i zhdukur nga familjarët dhe të afërmit e tij, të cilët thanë se kontaktet me poetin i kishin humbur që nga data 18 korrik.

Sipas raportit të hetuesve francezë, mbi trupin e të ndjerit nuk janë gjetur shenja dhune dhe përjashtohet mundësia e vetëvrasjes.

Për autoritetet franceze, Podrimja ka humbur orientimin gjatë një shëtitjeje në pyll dhe pas orësh të tëra lëvizjeje është dehidruar, “fakt” ky që nuk u besua plotësisht nga familjarët e poetit.

Në bibliografinë e tij, Ali Podrimja, numëron më tepër se dhjetë vëllime me poezi, ndërsa kritikët letrarë e kanë cilësuar atë si – “përfaqësuesin më tipik të poezisë shqiptare”.

Stili i tij i shkrimit përfshinte botën e vet poetike të cilën e artikulonte përmes një sistemi figurativ të konsoliduar (veçanërisht me simbolin dhe metaforën) dhe me një shkallë mjaft të lartë ndjeshmërie.

Poezia e tij janë epitomë e hermetizmit ku metaforat përbëhen nga disa nivele dhe nën-nivele kuptimore.

Ndërkohë që manifestimi i kësaj forme poetike u bë i domosdoshëm për poetin, sepse i shërbeu si mburojë kundër sulmeve ndaj ish-pushtetit serb në Kosovë.

Pas pavarësisë së Kosovës, poezia e tij rifitoi lirizmin dhe ndjenjën poetike, por pa mundur të dalë krejtësisht nga stili i ngjeshur tradicional shqiptar.

Mes veprash më personale të autorit është “Lumi Lum”, të cilën ia kushtoi birit të tij që u nda nga jeta në moshë të re, Lumit.

Vepra të tjera të njohura nga Ali Podrimja janë edhe; “Thirrje”, “Dhimbë e bukur”, “Sampo”, “Torzo” , “Folja”, “Credo”,”Fundi i Gëzuar” dhe “Pikë e zezë në blu”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore