Shqipëria

Nënshkruhet Memorandumi i Mirëkuptimit për shpalljen e Vjosës Park Kombëtar


Është nënshkruar sot Memorandumi i Mirëkuptimit, në bazë të të cilit lumi i Vjosës shpalljen e një “Park Kombëtar”.

Kështu ka nisur bashkëpunimi me organizatën amerikane mjedisore “Patagonia” për ta shpallur Vjosën një park të tillë.

Të pranishëm në ceremoni ishin kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ekspertët e organizatës shumë të njohur amerikane “Patagonia” dhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.

“Memorandumi i Mirëkuptimit, që nënshkruhet sot, kurorëzon martesën e pandashme të Natyrës me Njerëzit, si projekti ynë më i ri për një zhvillim të qëndrueshëm të Parkut Kombëtar të Vjosës dhe pjesë e vizionit për zonat e mbrojtura në Shqipëri”, deklaroi fillimisht Rama.

Kryeministri deklaroi se Vjosa do të prodhojë ardhmëri në një formë tjetër.

Megjithatë, ai ironizoi kritikët që kanë hamendësuar mundësinë e ndërtimit të hidrocentraleve në Vjosë.

“Të thuash park kombëtar është fjalë goje, ndërkohë që në këtë gjatësi shtrihet një popullsi e tërë, e cila ka nevojë për zhvillim. Kur na thonë që ky është lumi i fundit i egër në Evropë, bëjnë sikur harrojnë që lumenjtë e tjerë të egër i kanë zbutur për veten e tyre dhe këtë e duan të egër. Ne po e bëjmë, sepse po e bëjmë me bindje të plotë se kjo është e ardhmja”.

Sipas tij, po ndërtohet një hapësirë për një zhvillim që mbron mjedisin dhe ushqen gjeneratat që do të kenë Vjosën trashëgimi.

Vjosa është lumi më i madh “i egër” i Evropës jashtë territorit të Rusisë.

Në shtator të vitit 2020, politikanët shqiptarë njoftuan publikisht krijimin e një parku kombëtar të lumit të egër Vjosa, i cili do të mbronte të gjithë rrjetin e degëve.

Sidoqoftë, që nga ajo kohë, qytetarët dhe aktivistët lokalë mbeten të alarmuar gjithnjë, me frikën e kompromiseve të fshehura.

Grupet shqiptare dhe ndërkombëtare të ruajtjes së natyrës si “EcoAlbania”, “Riverwatch” dhe “EuroNatur” i kanë bërë thirrje publikut dhe liderëve politikë të regjistrojnë të ardhmen e Vjosës dhe ta shpallin “Park Kombëtar”.

Nëse do të jetë i suksesshëm, ky do të jetë parku i parë kombëtar i lumit të egër të Evropës dhe i pashembullt në Evropë për nga rëndësia ekologjike.

Me këtë akt do të mbroheshin mbi 300 km lumenj dhe përrenj, strehues të mbi 1 mijë e 100 speciesh, shumë prej të cilave konsiderohen të kërcënuara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore