Shqipëria

Nënshkruhet marrëveshja Berisha-Meta për zgjedhjet lokale


Kryetari i Partisë Demokratike (PD), Sali Berisha ka nënshkruar marrëveshjen me kryetarin e Partisë së Lirisë (PL), Ilir Meta për zgjedhjet lokale që do të zhvillohen më 14 maj.

Në marrëveshje thuhet se konkurrimi për kryetarët e bashkive do të bëhet me kandidatë të përbashkët, të cilët vendosen nga rezultati i konkurrimit në primare, që do të organizohen nga Partia Demokratike.

Referendumi, tregon marrëveshja do të jetë angazhim madhor i dy partive.

Gjithashtu nënvizohet se këshillat bashkiakë, si institucionet më të rëndësishme të përfaqësimit të qytetarëve, do të drejtohen nga përfaqësues të propozuar nga Partia e Lirisë, në rastet kur këshilltarët e kësaj të fundit rezultojnë përcaktues në sigurimin e shumicës në këta këshilla.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, kryedemokrati tha se mbështet fuqimisht nismën e referendumit të propozuar nga Ilir Meta duke thënë se do të kthejë demokracinë në vend.

“Të marrë fund kryetaro-kracia dhe qytetarët e Tiranës të zgjedhën të parët me praktikat më demokratike që ekzistojnë sot. Metës i kam garantuar se PD do të mbështesë nismën referendare. Referendumi dhe demokracia direkte është dhe mbetet mjeti më kryesor për të shëruar e për të kthyer demokracinë në Shqipëri”.

Ai shtoi se ky bashkëpunim do i çojnë në fitoren e sigurt jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë Shqipërinë.

“Ky moment shënon marrëveshjen për fitoren e sigurt të opozitës në Tiranë dhe Shqipëri. Ky moment çel rrugën, për t’u dhënë qytetarëve të Tiranës, qytetarin e parë, që ata meritojnë, që pasqyron vlerat, shpirtin, virtytet dhe moralin e tyre, dhe një lloj për të gjitha qytetet e Shqipërisë”.

Nga ana tjetër, Meta shprehu bindjes se opozita do të jetë fituese në Tiranë dhe në shumicën dërrmuese të bashkive në vend. Ai falënderoi Berishën për mbështetjen që i dha referendumeve.

“E konsideroj me bindje të plotë historike. Marrëveshja më parimore që i shërben demokracisë dhe rivendosjes së pluralizmit politik dhe llogaridhënies. I vendos të dyja partitë në drejtim të garantimit të demokracisë direkte për qytetarët shqiptarë”.

Një ditë më parë, Meta deklaroi se dy partitë do të kryejnë një proces të unifikuar primaresh mbi përzgjedhjen e eksponentëve politikë, të cilët do të garojnë në zgjedhjet vendore 2023, ku një emër konkret ka edhe për rivalin e Erion Veliajt për Bashkinë e Tiranës, por në funksion të kryetarit të Këshillit Bashkiak Tiranë.

Pavarësisht se nuk ka dhënë asnjë emër konkret për rivalin e Veliajt në bashkinë e kryeqytetit, ai ka thënë se i ka propozuar Berishës një emër për kreun e Këshillit Bashkiak kryeqytetas dhe se ky i fundit, e ka mirëpritur atë dhe ka vlerësimin më të lartë për personin.

Procesi do të jetë i tillë, ku aty ku ka kandidatë nga Partia e Lirisë, të cilët premtojnë konkurrencë në garë, ata do të përfshihen në sistemin e primareve, për të marrë votëbesimin nga bazat.

Teksa, diskutime konkrete për emra, për atij të kryetarit të Bashkisë Tiranë (përciptazi), nuk ka pasur.

Më tej, ish-kreu i shtetit vijoi duke përsiatur se fitorja në Bashkinë e Tiranës, do të krijojë një “parlament të vogël”, i cili më pas do t’i hapë rrugë fitores në zgjedhjet e përgjithshme, të cilat mbahen në vitin 2025.

Teksa, mbi procesin zgjedhor të votimeve vendore, ai është dekretuar për t’u mbajtur më 14 maj 2023, nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj.

14 maji, data zyrtare e zgjedhjeve vendore në Shqipëri

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore