Kosova

Nënsekretarja amerikane pas takimit me Vuçiç-in: Progresi i normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi është i rëndësishëm


Elizabeth Allen dhe Aleksandër Vuçiç

Nënsekretarja e Shtetit për Diplomacinë Publike, Elizabeth Allen, pas takimit me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në Beograd të mërkurën, ka thënë se progresi i vazhdueshëm drejt normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën përmes dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimin Evropian është i rëndësishëm.

Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, Allen dhe Vuçiç, gjatë takimit – ndër të tjera – kanë diskutuar për çështjet globale dhe përparimin e Serbisë drejt integrimit në BE, përfshirë Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Sipas top-diplomates amerikane, është e rëndësishme të bashkëpunohet në ndërtimin e stabilitetit evropian dhe rajonal, “i cili kërcënohet nga agresioni rus kundër Ukrainës dhe destabilizimi i përhapur nga Kremlini me dezinformata”.

Ajo theksoi gjithashtu mundësitë për forcimin e lidhjeve në kulturë dhe arsim mes dy shteteve.

Nga ana tjetër, Vuçiç, pas takimit me Allen, ka thënë se i ka kërkuar kësaj të fundit angazhim më të madh të ShBA-ve në rajon.

“Kërkova nga SHBA-të që të rrisë angazhimin e saj dhe të përdorë ndikimin e saj për të ruajtur stabilitetin e rajonit dhe për të krijuar kushtet për bashkëpunim të sinqertë dhe përparim konkret të rajonit dhe të gjithë qytetarëve tanë drejt një të ardhme më të mirë dhe më të begatë”, ka shkruar Vuçiç në platformën sociale, Facebook, pas takimi.

Kreu i Serbisë bisedën me Allen e ka cilësuar si të mirë dhe të dobishme.

“Shqyrtuam mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit të Serbisë dhe SHBA-së në fushën e kulturës dhe arsimit, veçanërisht llojeve të ndryshme të programeve të bursave, shkëmbimit të studentëve, kulturës dhe dijes”.

“Biseduam edhe për mbështetjen e SHBA-së për përparimin e Serbisë drejt anëtarësimit të plotë në BE”, ka shtuar ai.

Ndryshe, përveç Serbisë, nënsekretarja e Shtetit për Diplomacinë Publike, Elizabeth Allen, gjatë kësaj jave do të qëndrojë edhe në Kosovë, në kuadër të një turneu në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Në Prishtinë, nënsekretarja Allen do të takojë presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, me të cilët do të diskutojë për mbështetjen e ShBA-ve për rrugën e Kosovës drejt integrimit euroatlantik dhe partneritetin midis dy vendeve për të luftuar dezinformimin dhe ndikimin malinj të aktorëve të jashtëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore