Lajme

Negociatat për liberalizimin e vizave fillojnë para Krishtlindjeve, thotë eurodeputeti holandez


Raportuesi i Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën, Thijs Reuten, ka bërë të ditur se negociatat me presidencën çeke do të fillojnë para Krishtlindjeve për të përfunduar sa më shpejt të jetë e mundur.

Në një intevistë për ABC neës, ai është shprehur optimist se negociatat do të çojnë në vendimin përfundimtar për lëvizjen pa viza në zonën Shengen.

“Ne jemi të gatshëm të negociojmë sa më shpejt të jetë e mundur, shpresojmë para Krishtlindjeve për të ecur përpara dhe për të mbaruar këtë proces”.

“Shpresoj, që më në fund, ky vend që ishte lënë jashtë liberalizimit të vizave, do të përfitojë nga kjo. Eshtë një lajm pozitiv”, pohoi ai.

Ndërkaq, një prej shqetësimeve ishte edhe lidhja midis hyrjes në fuqi të vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe sistemit ETIAS, për të cilin eurodeputeti holandez potencoi se nuk pritej vendosja e kushteve të reja.

“Personalisht, mendoj, se ETIAS është një tjetër shembull, që tregon se si vendoset një rregullë e re në mes të lojës. Kjo nuk ishte ajo që kërkoi Parlament Europian. Por tani le t’i japim bekimin tonë vendimit, sepse kemi një vendim historik për kosovarët”.

“Shpresojmë që ETIAS të hyjë në fuqi sa më shpejt të jetë e mundur, pasi tani që çështja lidhet me ETIAS duhet të sigurojmë që qytetarët e Kosovës të përfitojnë sa më shpejt të jetë e mundur. Në të gjitha rastet, jo më vonë se janari 2024, por shpresojmë para kësaj date”, shtoi ai.

Ai shpjegoi se sa do të zgjasë procedura deri në implementimin e kërkesave të BE-së.

“Kjo varet nga shpejtësia me të cilën secili aktor bën punën e tij. Ne do t’a bëjmë sa më shpejt të jetë e mundur. Ne do të fillojmë diskutimet me presidencën çeke shpresojmë para Krishtlindjeve. Pas kësaj ne do t’i nxisim të gjithë për të avancuar sa më shpejt të jetë e mundur. Edhe nëse nuk do të jetë në kompetencën time, do të nxis palët përpara, që vendimi të merret sa më shpejt të jetë e mundur”, shpjegoi ai.

Pa viza nga 1 janari 2024

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore