Shqipëria

Në vetëm 5 ditë – mbi 23 kg lëndë narkotike të sekuestruara


Nga Veriu në Jug të Shqipërisë, në më pak se një javë janë sekuestruar mbi 23 kilogram (kg) lëndë narkotike.

Por, shumica e operacioneve policore kanë pasur si synim parandalimin evidentimin dhe goditjen e këtyre lëndëve.

Sasia më e madhe e sekuestruar është ajo në Portin e Durrësit, e kompanisë “Alba Exotic Fruit” me 6.5 kg kokainë.

Në kontejnerët e saj më 13 korrik u gjet një sasi prej 11.6 kg kokainë.

Katër ditë pas zbulimit të ngarkesës së parë të drogës, policia thotë se u konstatuan të hapur dy kapakë të njërit prej kontejnerëve për llogari të kësaj firme.

Fill pas saj policia finalizoi operacionin e koduar “Dërmënas”, i zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier dhe Komisariati i Policisë Fier, pas një hetimi 2-javor.

Gjatë tij u sekuestruan po 6.5 kg lëndë cannabis sativa dhe fidanë narkotikë të mbjellë në vazo lulesh.

Në kuadër të operacionit u vunë në pranga babë e bir, për kultivim, prodhim dhe shitje të narkotikëve.

Kultivimi i lëndëve narkotike

Nga ana tjetër sekuestrimi i fidanëve të dyshuar si cannabis sattiva është realizuar në qytete si Vlora, Lezha, Berati, Gjirokastra dhe Kruja.

Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë bënë arrestimin e shtetasit N.Z., 48 vjeç, banues në Vlorë, si autorin e dyshuar për kultivimin e bimëve narkotike.

Ndërkohë në Lezhë shërbimet e Policisë, kanë vijuar kontrollet në sipërfaqe të pyllëzuara, banesa të braktisura nga pronarët, ish-reparte ushtarake dhe në ato banesa për të cilat disponohet informacion se mund të ketë tendencë për kultivim të bimëve narkotike.

Si rezultat i kontrolleve, në fshatin Krajën është konstatuar në tentativë për të kultivuar bimë narkotike, shtetasi P. B., 60 vjeç, i cili është vënë në pranga nga shërbimet e Policisë.

Në të njëjtën situatë është ndaluar shtetasi R.R., 58 vjeç, banues në fshatin Lazarat, Gjirokastër, pasi ka tentuar të kultivojë bimë narkotike në një ambient në pronësi të tij.

Operacionet e mëparshme në Vlorë dhe Krujë

Një operacion anti-kanabis është zhvilluar më 4 korrik nga Policia e Vlorës. Operacioni u shtri në zonën e Lumit, ku janë evidentuar disa parcela të mbjella me drogë.

Kontrollet janë zhvilluar me dronë dhe helikopterë. Kjo zonë njihet si problematike përsa i përket kultivimit të narkotikëve.

Një operacion i ngjashëm u ndërmor në zonën e Krujës në fillim të këtij muaji. Ky operacion u ndërmor pasi Guardia di Financa, në patrullim, ka zbuluar parcela me kanabis në këto territore.

Në kuadër të operacionit antikanabis i koduar ‘AGIMI’, janë asgjesuar 50 mijë rrënjë kanabisi dhe janë arrestuar 16 persona.  Policia ka  shpallur në kërkim 24 tjerë. Ndërkohë tre shtetas u hetuan në gjendje të lirë.

Në këtë operacion janë përfshirë mbi 200 efektivë. Ai do të shtrihet edhe në zona e qytete të tjera. Sipas policisë, ky është operacioni antidrogë, më i madh pas atij në Lazarat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore