Një ditë pas ngritjes së aktakuzës kundër 45 terroristëve në rastin e sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjë të Komunës së Zveçanit, të enjten mbrëma në Veri të Kosovës janë shfaqur disa fotografi me mbishkrime të ndryshme në përkrahje të terroristëve.
“Të gjithë jemi Milan-a dhe vëllezër nga Banja, ju presim në Veri”, shkruhet në fotografit e vendosura nëpër vende të ndryshme në Zubin Potok, Mitrovicë të Veriut, Zveçan e Leposaviq.
“Komandant vetëm thuaj, fluturojmë si plumbat”, shkruhet ndër të tjera në këto fotografi.
Çfarë ndodhi më 24 shtator?
Një grup i armatosur të dielën e 24 shtatorit të vitit të kaluar, sulmoi Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit.
Autoritetet e Kosovës akuzuan drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.
Radojiçiç u arrestua nga autoritetet serbe, për t’u liruar një ditë më pas.
Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.
Nga ana tjetër, Serbia nuk është distancuar nga ky sulm, përkundrazi ka shpallur ditë zie kombëtare, për t’i nderuar kështu terroristët e vrarë.
Përveç kësaj, Beogradi zyrtar, pas sulmit terrorist, dislokoi një numër të madh të trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën, për t’i larguar më pas, për shkak të presionit ndërkombëtar.
Për Radojiçiç-in dhe disa të tjerë, aktualisht ekziston edhe një urdhërarrest ndërkombëtar nga INTERPOL-i.
Raporti i detajuar i INTERPOL-it kundër Radojiçiç precizon me saktësi se “më 24 shtator 2023 rreth orës 02:45 në fshatin Banjë të komunës së Zveçanit, i dyshuari dhe bashkëkryesit e tij besohet se kanë vepruar së bashku për të hyrë ilegalisht në Kosovë me dhjetëra automjete të mbushura me armë, municion dhe veshje ushtarake”.
Gjithashtu raporti nënvizon faktin se Radojiçiç dhe bashkëkryesit e tij bllokuan rrugën me dy kamionë me qëllim që t’ua zënë pritën policëve të Kosovës dhe sulmuan ata me granata dhe armë të ndryshme në urën afër Manastirit.
Sipas INTERPOL-it, ka dyshime të arsyeshme që Radojiçiç në cilësinë e kreut të një grupi kriminal nga vitit 2017 deri në vitin 2023 nëpërmjet kontrabandës ka krijuar të ardhura të majme të cilat më pastaj i ka investuar në patundshmëri.