Lajme

Në vazhdë të shkeljes së marrëveshjes së Brukselit – Serbia falënderon Hungarinë për votë kundër Kosovës në KiE


Peter Szijjarto, Ministër i Punëve të Jashtme të Hungarisë dhe Ivica Daçiç, Ministër i Punëve të jashtme të Serbisë

Edhe pse ranë dakord në Bruksel që dy shtetet Kosova dhe Serbia të mos pengonin njëra-tjetrën në anëtarësim në organizata ndërkombëtare, Serbia po vazhdon të mos e përfillë.

Përmes një cicërrime në Twitter, ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç ka njoftuar se gjatë vizitës së tij në Hungari, ka falënderuar homologun e tij Peter Szijjarto për qëndrimin e Hungarisë, duke votuar kundër, ndaj kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

“Në emër dhe popullit të saj, Ministri i Jashtëm Daçiç falënderoi për qëndrimin e fundit në lidhje me kërkesën e Kosovë për anëtarësim në Këshillin e Evropës”, u bë ditur në një postim në Twitter nga MPJ e Serbisë.

Lidhur me këtë ka reaguar ish-ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla.

Ajo ka thënë se Serbia po poshtëron Perëndimin duke shkelur me vetëdije dhe qëllimisht marrëveshjen.

“Menjëherë pasi ra dakord me Kosovën për Propozimin e BE-së (i mbështetur fuqishëm nga SHBA ), Serbia poshtëron Perëndimin duke shkelur me vetëdije, qëllimisht dhe haptazi Nenin 4 të Marrëveshjes Themelore”, ka shkruar Haradinaj-Stublla poashtu në Twitter.

Kjo, nuk është hera e parë që shteti serb e shkelë marrëveshjen e Brukselit të dakorduar në Ohër në raport me Kosovën.

Në takimin e së enjtes së 27 prillit, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në takim me ministrin e Punës dhe Mbrojtjes Sociale të Azerbajxhanit, Sahil Babayev, e kishte falënderuar Bakun zyrtar për votën kundër Kosovës në Këshillin e Evropës.

Të hënën e 24 prillit Komiteti Ministror me 33 vota pro ia përcjelli Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën për anëtarësim të Kosovës në këtë organizëm ndërkombëtarë. Nga gjithsej 46 shtete sa votuan në Komitetin Ministror kundër këtij vendimi ishin shtatë shtete përfshirë edhe Azerbajxhanin.

E një akt i tillë i Azerbajxhanit në arenën ndërkombëtare, sipas Vuçiç’it do të mbahet mend gjatë pasi është një shprehje e miqësisë së sinqertë.

“Falënderova ministrin Babajev dhe Republikën e Azerbajxhanit për përkushtimin e tyre ndaj ligjit ndërkombëtar, gjë që u tregua me votim në Këshillin e Evropës”, ka shkruar Vuçiç në rrjetin e tij social në Facebook gjersa ka njoftuar për takimin që ka zhvilluar sot me ministrin e Azerbajxhanit.

Ndryshe shumë njohës të çështjeve ndërkombëtare kanë argumentuar se me votën kundër Kosovës në Këshillin e Evropës dhe duke lobuar te shtetet tjera për të penguar votimin në Komitetin e ministrave të KiE-së, Serbia zyrtarisht të hënën e 24 prillit e ka shkelur marrëveshjen e arritur në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç.

Në Nenin 4 të Marrëveshjes Serbia zotohet se nuk do ta pengojë Kosovën në rrugën drejt anëtarësimit në asnjë organizatë ndërkombëtare dhe të hënën bëri pikërisht të kundërtën.

Votat kundër të Hungarisë, Spanjës dhe Rumanisë për anëtarësimin e Kosovës në KiE, sipas ish-ministres së Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinajt, kanë ardhur pikërisht pas lobimit të shtetit serb.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore