Lajme

Në Ukrainë do të ketë paqe vetëm kur Rusia të arrijë qëllimet e veta, thotë Putini


Presidenti rus Vladimir Putin e ka nisur konferencën për shtyp duke thënë se sovraniteti i Rusisë është nën kërcënim.

Dhe se “vetë ekzistenca e vendit tonë pa sovranitet është e pamundur…i gjithë vendi nuk mund të ekzistojë pa sovranitet”.

Ndërkohë, pyetjes së kur do të ketë paqe, ai është përgjigjur duke thënë se “do të ketë paqe kur të arrijmë qëllimet tona”.

“Nuk ka ndryshuar. Denazifikimi i Ukrainës, çmilitarizimi i Ukrainës”.

Këto janë disa nga termat më agresivë që Putin përdori në fillim të luftës në Ukrainë, përpara se Rusia të pësonte një sërë pengesash ushtarake vitin e kaluar.

Por me dështimin e kundërofensive të Ukrainës, Putin tregon se Rusia ende po kërkon një kapitullim të plotë.

Ai pyetet gjithashtu nëse do të ketë një raund të ri mobilizimi në Rusi, për të cilin ai është përgjigjur se Rusia ka mjaft njerëz nën armë dhe rekrut të gatshëm për momentin për të rritur numrin e forcave të armatosura ruse në 500 mijë deri në fund të vitit.

“Pse na duhet një mobilizim? Nuk ka nevojë për mobilizim sot.”

Po ashtu Putini ka pohuar se ndihma ushtarake për Ukrainën nga Perëndimi ishte duke shteruar dhe se vendit së shpejti do t’i mbarojnë armët e huaja për t’i rezistuar pushtimit rus.

“Ukraina nuk prodhon pothuajse asgjë, gjithçka vjen nga Perëndimi, por gjërat e lira do të mbarojnë një ditë dhe duket se tashmë po ndodh”, ka shtuar ai.

Ndërkaq, ai ka thënë se është i hapur për të riparuar marrëdhëniet me Evropën dhe SHBA-të, por se Rusia nuk ka bërë asgjë të keqe në pushtimin e saj në Ukrainë dhe ka fajësuar Perëndimin për “prishjen e marrëdhënieve” me Rusinë.

“Ne nuk i prishëm marrëdhëniet me Perëndimin. Ata shkatërruan marrëdhëniet me ne dhe gjithmonë u përpoqën të na shtynin në vendin e dytë ose të tretë, duke injoruar interesat tona”.

Në tërësi, Putini ka zhvilluar një linjë agresive sot, duke folur gjerësisht për luftën dhe duke bërë pak për të treguar se po tërhiqej nga qëllimet maksimaliste të Rusisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore