Në Tiranë do mbajmë një Samit për Ukrainën, paralajmëron Rama

Rajmonda Basha
22.01.2024 12:48
Loading Icons...

Kryeministri Edi Rama në një komunikim të zhvilluar me gazetarët në Shkup, paralajmëroi se në Tiranë do të mbahet një Samit për Ukrainë.

“Siguria nuk kanë qenë temë e takimit të sotëm, ndërkohë që janë prekur në mënyrë parimore, mbase të detajuar në takimet bilaterale. Po përgatisim një samit në Tiranë për Ukrainën, dhe duhet të kemi të pranishëm presidentin Volodymyr Zelensky. Do përpiqemi në atë hark kohor të kemi edhe takimin tjetër të liderëve të rajonit me përfaqësuesit të sotëm të BE dhe që janë atë që do ndjekin për të bërë një bilanc të këtij muaji për të vijuar të vazhdojmë me ritmin e përshpejtuar që diktohet nga proceset e reja, që po ndodhin në BE, ka zgjedhje të reja”.

Rama ravijëzoi se “ne duhet të mbyllim këtë paketë duke bërë punën tonë brenda afateve që ka kjo administratë në Bruksel. Është një samit në mbështetje të Ukrainës dhe për të diskutuar me presidentin e Ukrainës  në lidhje me sfidat e sigurisë”.

Duke folur për samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor, u ndal edhe tek darka e zhvilluar me zyrtarë të BE dhe SHBA.

Kryeministri Rama u shpreh se ndodhej për herë të parë në një darkë ku të pranishëm ishin presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, duke theksuar se ishte një takim pozitiv.

Rama gjithashtu nënvizoi se në atë takim, u zhvillua një komunikim pozitiv mes të gjithë palëve.

“Është hera e parë që unë jam në një darkë së bashku me Albinin dhe Presidentin Vuçiç dhe u bë një komunikim pozitiv mes të gjithëve. Dhe më rezulton që ky format dhe këto kërkesa që ka sot BE nga të gjithë për të na dhënë mundësinë që ne të marrim shumë më tepër mbrapsht në aspektin ekonomik dhe financiar flasin vetë për atë që më ka rënë goja gjithë këto vite, pasi ne duhet të integrohemi vetë brenda për brenda. S’jemi gati sepse kemi humbur kohë duke u marrë me terminologji. BE e ka bërë të qartë që kush do të bëhet shkak do të penalizojë vetveten. Në vend të merremi me përmbajtjen duhet të merremi me punë konkrete”, tha ai.

Ai theksoi ndër të tjera se “Shqipëria nuk ka nevojë për mbështetje financiare për të bërë reformat”.

“Nuk kemi kërkuar mbështetje financiare për reformat. Ja ku jemi sot nëse do kishim bërë gjënë e duhur, nuk do kishim nevojë të shtrëngonim rrypin e përbashkët për dicka që duhet ta kishim bërë bashkë me kohë”, tha Rama ndërsa theksoi rëndësinë e integrimit në tregun e përbashkët europian.

“Pjesa më e rëndësishme e procesit, nuk janë miliarda, por integrimi në tregun e brendshëm europian. Vetëm nga ndryshimi i regjimit të transaksioneve financiare që bëjnë qytetarët, parashikohët të mund të kursejnë mbi 20 mln euro në vit. Janë shumë të tjera që do i ndihmojnë shumë ekonomisë bizneseve, etj”.

BE duhet të ishte më serioze me integrimin rajonal, thotë Rama

Liderët e Ballkanit Perëndimor janë mbledhur këtë të hënë në kryeqytetin maqedonas për të diskutuar mbi të ardhmen e politikës së zgjerimit të Bashkimit Evropian (BE) dhe planin e rritjes ekonomike prej 6 miliardë euro të Komisionit Evropian (KE) për vendet e Ballkanit Perëndimor – një paketë madhore e asistencës financiare për periudhën 2024-2027.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski,është nikoqir i takimit, ndërsa përveç kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, marrin pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, kurse prezent ishte edhe James O’Brien, Ndihmës-Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën.

Në Shkup janë ftuar edhe përfaqësues të organizatave rajonale (RCC) dhe institucioneve të tjera financiare ndërkombëtare për bashkëpunim, përfshirë përfaqësues të Tregtisë së Lirë në Evropën Qendrore (CEFTA) dhe Agjencisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).

Gjashtë vendet e rajonit – Shqipëria, Kosova, Bosnje-Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia – synojnë të anëtarësohen në BE dhe janë në faza të ndryshme të arritjes së këtij qëllimi, ndërsa plani i rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor përfshin investime prej 6 miliardë euro dhe akses në tregun e brendshëm të bllokut evropian në fusha të caktuara.

E krahas Shqipërisë, Kosovës, Bosnje-Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Turqisë, për herë të parë, paketa investuese e BE-së do të përfshijë gjithashtu dy vende të reja – Ukrainën dhe Moldavinë. Plani do të ekzekutohet pas përmbushjes së reformave të kërkura, kryesisht sa i përket përshtatjes së kornizës ligjore të BE-së dhe aspekteve të sundimit të ligjit.

Një vëmendje e veçantë pritet t’i kushtohet edhe procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi sepse as Kosova e as Serbia nuk do të mund të përfitojnë nga plani i rritjes për Ballkanin Perëndimor në rast se nuk do të ketë përparim konkret në përmbushjen e obligimeve që burojnë nga Marrëveshja Bazë (Bruksel, 27 shkurt 2023 dhe Ohër, 18 mars 2023).

Të fundit

Aktuale