Stil

Në tetorin rozë – Parandalimi është jetë


“Unë nuk jam viktimë e kancerit të gjirit. Unë jam duke u përballur me kancerin e gjirit. Unë nuk po vdes. Unë po jetoj. Unë nuk jam duke kuruar. Unë jam duke shëruar. Unë nuk kam frikë. Unë kam besim!”

Nën sloganin “Fjongo Rozë më kujton”, Young Women’s Christian Association of Albania (YWCA), vazhdon fushatën intensive gjatë muajit tetor, të njohur ndërkombëtarisht si muaji i ndërgjegjësimit për parandalimin dhe diagnostikimin e hershëm të kancerit të gjirit.

Tetori, në të gjithë botën, është muaji i ndërgjegjësimit për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit.

Nga burime zyrtare të Institutit të Shëndetit Publik (ISHP) për Albanian Post u konfirmua se vitet e fundit vihet re një rritje e numrit të kontrolleve mamografike.

Këto të dhëna dalin në bazë të një vlerësimi që bën ISHP.

“Ne shohim rastet e reja, të cilët kanë një rritje të lehtë. Shohim shtrimet në spital që kanë një rritje shumë të madhe. Dhe kur i krahasojmë, kuptojmë që sidomos në 3-4 vitet e fundit gratë po e shfrytëzojnë më shumë sistemin shëndetësor”, shprehet burimi.

Sipas ISHP-së, vihet re një rritje e numrit të mamografive.

“Kemi qenë rreth pesë mijë mamografi në ditë, kemi arritur në 20 mijë në ditë”.

Kjo, sipas burimeve të Institutit Publik lidhet, “me shumë gjasë me përmirësim të aksesit, por edhe me ofertë më të madhe, sidomos medikamentet”.

Një anë tjetër pozitive e përballimit të situatës, është numri i ulët i vdekshmërisë nga kanceri i gjirit.

“Nëse kemi gjithmonë e më shumë raste të kancerit të gjirit, kjo nuk do të thotë se kemi më shumë vdekje, përkundrazi kemi më pak vdekje”, thanë nga ISHP-ja.

Përse është e rëndësishme mamografia?

Mamografia kap kancerin e gjirit në faza shumë të hershme. Ajo mund të kryhet në çdo kohë, por do të ishte më e përshtatshme që të zgjidhej momenti kur gjinjtë nuk janë të fryrë apo të dhimbshëm, si p.sh., tre ose katër ditë pas menstruacioneve.

Nëse mamografia është normale, duhet vazhduar bërja e saj sipas intervaleve kohore të rekomanduara.

Kanceri i gjirit mund të shfaqet në çdo kohë, madje edhe nga një mamografi te tjetra, prandaj mamografia duhet bërë në mënyrë të vazhdueshme dhe jo vetëm një herë.

Çfarë duhet të dimë për kancerin e gjirit?

Kanceri i gjirit është një sëmundje, ku qelizat e gjirit rriten jashtë kontrollit. Kanceri i gjirit mund të fillojë në pjesë të ndryshme të gjirit dhe mund të përhapet jashtë tij, nëpërmjet enëve të gjakut dhe enëve limfatike, pra duke dhënë metastaza.

Të dy gjinitë, si gratë ashtu edhe burrat, mund të preken nga kanceri i gjirit, edhe pse ky kancer është shumë më i zakonshëm te gratë.

Disa gra janë në rrezik më të lartë për kancerin e gjirit sesa disa të tjera, për shkak të historisë së tyre mjekësore, personale, familjare, ose për shkak të ndryshimeve të caktuara gjenetike.

Kanceri i gjirit prek të gjitha gratë, por rreziku rritet me rritjen e moshës. Përgjithësisht preken moshat mbi 50 vjeç, por kanceri i gjirit mund të shfaqet edhe në mosha fare të reja.

Studimet kanë treguar se rreziku për kancerin e gjirit është rezultat i një kombinimi faktorësh.

Shenjat e kancerit në gji

Njerëz të ndryshëm kanë shenja të ndryshme të kancerit të gjirit. Por, disa të tjerë nuk kanë shenja fare dhe mund ta konstatojnë kancerin e gjirit vetëm pas një mamografie rutinë.

Disa shenja që mund të jenë tregues të kancerit të gjirit janë:

Një gjëndër apo një kokërr në gji ose nën sqetull konsiderohet shenjë, por shumë faktorë mund të shkaktojnë gjëndra në gjoks, duke përfshirë edhe kancerin, por jo çdo gjëndër në gji është kancer.

Çdo ndryshim në madhësinë apo formën e gjirit dhe dhimbje në gji.

Fryrje apo ënjtje e krahut nga njëra anë-disa herë kanceri i gjirit mund të përhapet edhe në gjëndrat limfatike nën krah dhe të shkaktojë fryrje apo ënjtje të tij.

Prandaj, gjëndrat limfatike të ënjtura duhen konsideruar një shenjë e mundshme e kancerit të gjirit.

Bazuar tek të dhënat e Agjencisë Ndërkombëtare mbi Kërkimet mbi Kancerin në Botë (GLOBOCAN), e cila përllogarit një vlerësim të situatës reale në çdo vend të botës, kanceri i gjirit ka incidencën më të lartë ndër llojet e kancerit që prekin gratë kudo në botë.

Pjesa më e madhe e vdekjeve nga kanceri i gjirit ndodh në vendet me të ardhura të ulëta e mesatare, ku shumica e grave me kancer gjiri diagnostikohen në faza të vonshme.

Prandaj në tetorin rozë, muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, bëhet një fushatë vjetore ndërkombëtare, e cila synon të shpërndajë informacion dhe t’i edukojë njerëzit për rëndësinë e shëndetit të gjirit, për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit te gratë dhe vajzat në të gjithë botën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore