Lajme

Në takimin e organizuar nga Ambasada e SHBA-ve merr pjesë edhe Qeveria e Kosovës


Gabriel Escobar dhe Albin Kurti

Në takimin e organizuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ku do të diskutohet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe do të jetë e pranishme edhe Qeveria e Kosovës, porse ajo nuk përfaqësohet nga kryeministri Albin Kurti, por nga zëvendëskryeministrja Emilija Redzepi dhe ministri për Komunitete dhe Kthim Nenad Rashiç.

“Unë nuk jam ftuar në atë takim, por ata që janë ftuar, le të shkojnë në atë takim dhe le ta diskutojnë”, tha kryeministri në një intervistë për Radio Evropa e Lirë ku ndër të tjera fajësoi emisarin e posaçëm të SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, se ky takim do të zhvillohet si pasojë e insistimit të tij.

Redzepi dhe Rashiç janë të ftuar si përfaqësues të Qeverisë së Kosovës nga komuniteti jo shumicë ndërsa një përfaqësues do të dërgohet edhe nga Presidenca e Kosovës në takimin që do të mbahet me 31 janar e ku përveç institucioneve kosovare, janë të ftuar edhe shoqëria civile dhe partitë e tjera parlamentare.

Mirëpo, kryeministri Kurti një ditë pasi njoftoi që s’do të marrë pjesë në takimin e 31 janarit në ndërtesën e Ambasadës amerikane në lagjen Dragodan sepse nuk ishte ftuar, në një intervistë për RTK2 tha se nuk e sheh të nevojshëm themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe pasi që nuk ka parë akoma ndonjë argument të fortë për themelimin e këtij mekanizmi.

“Jam gati për bisedime për të drejtat e pakicave, të komuniteteve joshumicë, jam gati për këtë. Por duhet ta kuptoni se është shumë e rëndësishme që ata që duan më shumë të drejta sesa u jep plani i Ahtisaarit, e mbajnë barrën e argumentimit – pse u duhen më shumë”, theksoi ai.

Megjithatë, sipas këshilltarit të lartë ligjor në procesin e Vjenës për statusin përfundimtar të Kosovës të udhëhequr nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, Marc Weller, Asociacioni i komunave me shumicë serbe buron nga Pakoja e Ahtisaarit dhe ka qenë në fillesat e negociatave të Vjenës bazë për kompromis me Serbinë.

Në vorbullën e këtyre zhvillimeve, të enjten është publikuar edhe draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumice serbe, të cilin së fundmi e ka përpiluar fondacioni gjerman “Friedrich Ebert-Stiftung” dhe të cilin pritet ta prezantojë para publikut më 30 janar.

Në këtë draft, i cili përmban gjithsej 18 nene, thuhet se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është një entitet legal i themeluar në bazë të Kushtetutës të Kosovës dhe sipas sistemit juridik të Kosovës. Pra, nuk mund të bie ndesh me prerogativat e Kushtetutës, u nënshtrohet ligjeve të Kosovës dhe varet nga institucionet qendrore.

Kosova ka sfida të rënda përpara, për sa i përket themelimit të Asociacionit të komunave me khumicë serbe, të ratifikuar në Kuvend më 2013, që njihet si Marrëveshja e Parë e cila ka ende fuqinë ligjore të një Marrëveshjeje Ndërkombëtare.

Moszbatimi i kësaj Marrëveshjeje Ndërkombëtare e vë Kosovën nën presion, në një kohë të papërshtatshme, kur zbatimin e saj po e kërkojnë SHBA-të dhe Bashkimi Evropian, sidomos emisari i posaçëm i SHBA-ve, Gabriel Escobar, i cili ka marrë përsipër zgjidhjen e kësaj çështje.

“Një person dhe një palë nuk mund të braktisin zbatimin e pikave ligjërisht të detyrueshme, ky është një fakt. Ne do ta bëjmë, do ta bëjmë duke gjetur partnerë, ka shumë njerëz që dëshirojnë të shohin marrëdhënie më të mira mes serbëve në veri dhe në pjesën tjetër të vendit”, tha Escobar, i cili tashmë po sulmohet nga përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje.

Ndërkaq, nga ambasada kanë bërë të ditur se synimi i saj është të avancojë mirëkuptimin e ndërsjellë për përkushtimin ndaj Asociacionit të komunave me shumicë serbe, në mbështetje të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë që ndërmjetësohet nga BE-ja.

Ishte vetë kryeministri ai i cili e pranoi se ka marrë paralajmërime për mundësinë e zvogëlimit të mbështetjes së Perëndimit, nëse Kosova nuk do të tregohet konstruktive në lidhje me bisedimet Prishtinë-Beograd, rrjedhimisht edhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por shtoi se ai është i bindur që “Kosova është duke u dëshmuar si palë konstruktive”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore