Lajme

Në SHBA mbërrin cikloni më i fortë në 40 vjet kurse Evropa do t’i kalojë Krishtlindjet në vapë


Pjesa qendrore-lindore e SHBA-ve është goditur nga vala më intensive e të ftohtit dhe borës në 40 vitet e fundit.

Dhe kulmi do të arrihet në prag të Krishtlindjeve.

Kurse në anën tjetër të Atlantikut, Evropa dhe Italia në veçanti, do të kalojnë Krishtlindjet me temperatura 10 gradë mbi mesataren.

Kulmi mund të kalojë 25 gradë në Sicilinë perëndimore dhe në jug të Sardenjës.

Sakaq, stuhia në SHBA është quajtur Elliot dhe do të pasohet nga një ciklon të premten e 23 dhjetorit me presion të krahasueshëm me atë të një uragani të kategorisë 3.

Referuar Shërbimit Kombëtar të Motit, në disa zona të Dakotës Veriore dhe Jugore dhe Minesotës, temperaturat tejet të ulëta dhe erërat prej 80 kilometrash në orë mund të sjellin temperaturën e perceptuar në 45 gradë nën zero.

Guvernatorët e Kentakit dhe Karolinës së Veriut kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme pasi më shumë se 90 milionë njerëz në 37 shtete janë prekur nga paralajmërimet e motit.

Qindra fluturime nga Chicago dhe Denver u anuluan. Gjithashtu Florida po përgatitet të kalojë Krishtlindjet më të ftohta në 30 vitet e fundit, kurse në Teksas presin temperatura prej -26 °C.

Ndërsa në Evropë, veçanërisht në Italinë Jugore, do të jetë një Krishtlindje me temperatura shumë mbi mesataren.

Nuk është një fakt anormal sepse ka ndodhur tashmë disa herë edhe në të kaluarën e afërt.

Kjo sepse rrymat perëndimore që mbërrijnë në Evropë nuk kalojnë mbi një zonë të akullt si Kanadaja, por mbi Atlantikun e “nxehur” nga Rryma e Gjirit.

Po ashtu Evropa mbrohet nga malet e Skandinavisë, nga malet Urale dhe në jug nga Alpet, ndërsa në Amerikë malet Shkëmbore kanalizojnë ajrin e ftohtë të Arktikut dhe parandalojnë hyrjen e ajrit më të ngrohtë nga Paqësori.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore