Shqipëria

Në pranga babë e bir në Lazarat, kultivonin kanabis në oborrin e banesës


Në fshatin Lazarat të Gjirokastrës, policia ka vënë në pranga babë e bir pasi ka zbuluar nga kontrollet me dron një zonë të kultivuar me kanabis.

Dy shtetasit janë kapur në flagrancë teksa kujdeseshin për bimët narkotike.

Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se në një banesë në fshatin Lazarat, kultivoheshin bimë narkotike cannabis sativa, shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër finalizuan operacionin policor të koduar “Kujdesi”.

Në kuadër të tij u vunë në pranga shtetasit A. S., 51 vjeç dhe E. S., 28 vjeç (babai dhe djali), të dy banues në fshatin Lazarat.

Ata u kapën në flagrancë nga dronë të rezolucionit të lartë, të përdorur në këtë operacion, teksa kujdeseshin për 50 bimët e dyshuara narkotike cannabis sativa që kishin mbjellë në oborrin e banesës së tyre.

Si rezultat i kontrolleve të imtësishme në këtë banesë, Policia gjeti një sasi lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa.

Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa 50 bimët narkotike u asgjësuan nëpërmjet djegies.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore