Lajme

Në një organizim të Partisë Socialdemokrate Kurti takohet me diasporën shqiptare në Zvicër


Albin Kurti

Ashtu siç kishin paralajmëruar mediat zvicerane kohë më parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, këtë të shtune ka mbajtur një fjalim në një panel diskutimi të organizuar nga Partia Socialdemokrate në Zvicër duke dhënë kështu mbështetje të hapur kësaj partie në zgjedhjet federale të Zvicrës që do të organizohen më 22 tetor të këtij viti.

Një organizim të tillë e ka njoftuar vetë Kurti, përmes një postimi në platformën sociale X, ku ka falënderuar bashkëkryetarin e Partisë Socialdemokrate, Cedric Wermuth, për mundësinë për të folur me diasporën shqiptare në Zvicër.

Partia Socialdemokrate e Zvicrës, siç kishte raportuar mediumi zviceran, Blick, po e përdor kryeministrin Kurti për të kanalizuar votat e diasporës shqiptare në Zvicër.

“Diskutova progresin e Kosovës në fusha të tilla si ndihma për nënat e reja, bursat e studentëve dhe mbrojtja e mjedisit, që e bëjnë atë më të barabartë dhe tërheqës për investime”, shkroi Kurti.

Ndryshe të premten pas takimit me Presidentin e Zvicrës, Alain Berset, Kurti, kishte takuar kandidatët shqiptarë të partive të ndryshme zvicerane në zgjedhjet federale të këtij viti në ndërtesën e Ambasadës së Kosovës në Bern.

Në një komunikatë për media e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, bëhej e ditur se Kurti kishte përgëzuar kandidatët shqiptarë për angazhimin e tyre publik e politik në Zvicër, duke e konsideruar atë si dëshmi të mirë-integrimit të shqiptarëve atje, por edhe si shumë të rëndësishëm për demokracinë.

“Diskutuan për lidhjet ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës dhe rolin e potencialin e bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë dhe mërgatës në fushën e ekonomisë, edukimit dhe shëndetësisë”.

Kurti kishte njoftuar kandidatët shqiptarë të cilët do të garojnë për ulëse në Këshillin Kombëtar të Zvicrës për me disa prej zhvillimeve kryesore në vend dhe politikave prioritare të qeverisë, teksa nga kandidatët u njoftua më shumë për temat e tyre elektorale.

“Ai i uroi të gjithë kandidatëve suksese në fushatën zgjedhore dhe në ditën e zgjedhjeve”.

Në një intervistë të dhënë për të përditshmen zvicerane Blick, në janar të këtij viti, kishte paralajmëruar se po shqyrtohen mundësitë e një bashkëpunimi në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Socialdemokrate të Zvicrës sidomos në fushata zgjedhore.

“Synimi është që ne të mbështesim njëri-tjetrin në fushata zgjedhore në atë mënyrë që ne të dy të fitojmë forcë”, kishte deklaruar Kurti muaj më parë.

Përpos kësaj Kurti tregonte në po këtë intervistë se Cedric Wermuth-in, bashkëpresident i Partisë Socialdemokrate, e ka mik të afërt.

“Cedric është një mik i mirë i imi. Partitë tona i përkasin të njëjtës familje ideologjike. Ne kemi shumë kosovarë në Zvicër që janë anëtarë të PS-së dhe njëkohësisht të partisë sime Vetëvendosje. Ne duam të ndihmojmë njëri-tjetrin me fushata”.

Kurti më 24 maj 2021, dy muaj pas formimit të Qeverisë Kurti II, kishte takuar Wermuth duke bërë të ditur se ky i fundit kishte mbështetur Lëvizjen Vetëvendosje për vite me radhë.

“Gjatë takimit, një prej temave kryesore ishte mërgata e madhe e Kosovës në Zvicër dhe anembanë botës. Biseduam për krijimin e mundësive që mërgata të investojë në atdheun e tyre, por edhe për nevojën që vendi ynë ka për rikthimin e tyre. Bashkatdhetarët kanë fituar përvojë të jashtëzakonshme jashtë vendit, e janë potencial i madh për zhvillim të Kosovës”.

Deputeti shqiptar në Zvicër: Vizita zgjedhore e Kurtit, “kundër Kosovës”, “e rrezikshme” dhe “pakuptim”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore