Lajme

“Në mungesë luanëve, Kosova po sulmohet nga qentë e armikut”


Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganime Musliu, në tre vjetorin e arrestimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të akuzuar nga Zyra Prokurorit të Specializuar e Kosovës për krime lufte, ka thënë se Kosova në mungesë “të këtyre luanëve po sulmohet çdo ditë nga qentë e armikut”.

“Gjykata Speciale u themelua për t’i zbardhur pretendimet e Dick Martit e jo për qërim hesapesh personale e politike. Një thënie e urtë thotë: ‘Mos i vrisni luanët e vendit tuaj, sepse do ju shqyejnë qentë e armikut tuaj’. Kosova sot në mungesën e këtyre luanëve po sulmohet çdo ditë nga qentë armikut”, ka shkruar ajo në Facebook.

Këtë të diele, bëhen saktësisht tri vjet që kur ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, dhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, u arrestuan nga Specialja.

Ndonëse ishin arrestuar në nëntor të vitit 2020, gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, do të fillonte vetëm më 3 prill të këtij vitit, pra më shumë se dy vite nga konfirmimi i aktakuzës.

Deri më tani në gjyqin ndaj Thaçit e të tjerëve kanë dëshmuar 32 dëshmitarë, derisa pjesa më e madhe e tyre ka dëshmuar në seanca të mbyllura për publikun.

Që nga nëntori i vitit 2020 ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore