Lajme

“Në Lungomare s’ka muzikë po ndotje akustike, organizohuni në natyrë”


“Lungomare s’ka muzikë, po ndotje akustike të tmerrshme ku përzihen dhjetëra linja burime menjëherë”.

Ky ka qenë reagimi i kreut të qeverisë shqiptare, Edi Rama, pas protestave të bizneseve për të shtyrë orën e muzikës në lokale.

Më tej, kryeministri ka theksuar se nuk do të fitojë e drejta e atyre që duan zhurmë muzikore tërë natën, mbi të drejtën e atyre që duan zhurmën e detit.

Rama u solli në kujtesë se qëndron në fuqi vendimi se, deri në orën 23:00, lejohet muzika në çdo zonë turistike.

Prandaj ai u bëri thirrje se të gjithë ata që duan të kërcejnë e të këndojnë, le të organizohen në natyrë. “Në pika ku nuk shqetësohet njeri – si tërë bota e civilizuar”, thekson kryeministri Rama.

Reagimi i Unionit Turistik Shqiptar 

Përfaqësues së Unionit Turistik Shqiptar kanë kërkuar ndryshime të masave kufizuese që janë aktualisht në zbatim. Përkatësisht ata kanë kërkuar heqjen e orës policore dhe lejimin e muzikës përtej kufizimeve aktuale.

Me anë të një letre drejtuar ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, drejtoreshës së Komitetit Teknik të Ekspertëve, Mira Rakacolli, dhe ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, ata kanë shprehur shqetësimet e tyre mbi mbarëvajtjen e këtij sezoni.

Ndërkohë përgjigjja e Klosit ka qenë negative. Ai bëri me dije se kërkesa e Unionit Turistik për heqjen e kufizimeve nuk do të miratohet.

Ministri theksoi se nuk do të ketë tolerime dhe duhet të respektohet fasha orare për ndalimin e muzikës, kjo pasi sipas tij zhurmat kanë qenë një nga problemet kryesore nga turistët.

Turizmi shqiptar, rënie përgjatë 2020-s

Përgjatë vitit 2020, turizmi shqiptar pësoi rënie. Kjo, si pasojë e masave të marra për të parandaluar përhapjen e pandemisë Covid-19.

Në këtë kohë u ndaluan fluturimet, u mbyllën disa rrugë tokësore, duke qenë se frika ndaj infektimit me coronavirus ishte prezente.

Ka qenë Klosi, i cili, gjatë një eventi në Prishtinë, “Pusho Shqip”, tha se shqiptarët e Kosovës “(Shqipërinë) e kemi shtëpinë e përbashkët për miliona turistë që vizitojnë anët tona të kufirit. Atëherë kur kishim nevojë për turizëm, ishte Kosova”.

Masat e reja lehtësuese

Sipas qeverisë shqiptare, sezoni veror 2021 parashikohet me masa të lehtësuara. Diçka e tillë do të arrihet me lehtësimin gradual të masave dhe vaksinimin masiv të të gjithë popullsisë.

Lajmin për herë të parë, e bëri të ditur Rama, i cili tha se “në verë do t’i rikthehemi përsëri jetës tonë të dëshiruar”.

Gjithashtu edhe Manastirliu, së bashku me Klosin, gjatë një takimi me Task-Forcën dhe operatorët turistikë në Golem, shprehën njëzëri se sezoni i vitit 2021 do të jetë “Covid-Free”.

Nga 1 qershori kanë hyrë në fuqi masat e reja kundër Covid-19, me një lehtësim të dukshëm pas rasteve të vazhdueshme në ulje dhe një fushatë vaksinimi ndër më të suksesshmet në Evropë.

Aspekti më kryesor është ai i heqjes së mbajtjes së detyrueshme të maskave në ambientet e hapura publike. Pavarësisht kësaj, barriera mbrojtëse do të jetë e detyruar të mbahet në ambientet e mbyllura. Po ashtu, edhe në ambiente të jashtme, ku është e pamundur të ruhet distancimi social.

Ora policore do të pësojë gjithashtu ndryshim, duke lejuar lëvizjen për një orë më shumë. Nga një orë policore prej 22:00-06:00, ajo do të shtyhet në 23:00 dhe do të përfundojë në 06:00.

Nga këto lehtësime, nuk përftojnë klubet e natës dhe diskot. Ato do të vijojnë të jenë të mbyllura, ndërsa muzika do të lejohet deri në orën 22:00.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore