Lajme

Në Kosovë i nevojshëm miratimi i dozës së tretë i vaksinës antiCOVID


Vaksinimi antiCOVID-19 në Kosovë.

Infektologët në Kosovë po e konsiderojnë të nevojshëm miratimin për dozën plotësuese ndaj luftimit të pandemisë COVID-19.

Shtetet e rajonit kanë filluar administrimin e dozës së tretë të vaksinës anti-COVID, mirëpo fillimi i kësaj doze po konsiderohet i nevojshëm edhe në Kosovë.

“Padyshim që edhe në Kosovë është e domosdoshme, sa më shpejt që është e mundshme dhe që të merret vendimi për lejimin e dozës së tretë për të gjithë ata që kanë kaluar më shumë se gjashtë muaj nga doza e dytë, do të jetë e mirëseardhur”, ka thënë Ilir Tolaj për RTK.

Ndërkaq, Tolaj ka apeluar që të vazhdojnë të vaksinohet të gjithë pavarësisht rrethanave.

“Le të vaksinohen që të gjithë, pavarësisht prej moshës, pavarësisht prej gjendjes shëndetësore të tyre. Të vaksinohen në mënyrë paralele edhe me ata që nuk janë vaksinuar deri tash apo ata që deri tani janë vaksinuar me një dozë”, dekaroi ai.

Në pjesën më të madhe të botës dozat e para dhe të dyta janë administruar dhe është filluar me dozën e tretë.

Vaksinimi antiCOVID-19 në Kosovë.

Në Kosovë që nga fundit i muajit mars ka filluar imunizimi dhe janë administruar 1.6 milionë doza dhe rreth 720 mijë të vaksinuar me të dy dozat.

Deri tani në shumë vende është parë e nevojshme edhe një dozë e tretë përforcuese për mbrojtje nga Coronavirusi.

Izraeli, Gjermania, Franca e vendet e tjera kanë disa muaj që kanë filluar me dozën e tretë ndërsa Shqipëria, Maqedonia e Veriut e Serbia së fundi kanë lejuar fillimin e dozës së tretë të vaksinës kundër Covid-19.

Më 9 nëntor, Kosova ka regjistruar 11 raste të reja me COVID-19.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar po ashtu se ka miratuar rekomandimin e Komitetit për imunizim kundër Coronavirusit për vaksinimin edhe të qytetarëve jokosovarë.

Aktualisht, Kosova ka shkallën më të ulët të infeksionit, krahasuar me vendet e tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Për krahasim, pozitiviteti i rasteve në Kosovë është nën 1 për qind, ndërsa në Mal të Zi është mbi 22 për qind.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore