“Në Kosovë bëmë gjënë e duhur”: Roli i Blairit në bombardimin e Serbisë
Tony Blair
Armat Matoshi
10.06.2024 14:15Në bazë të shënimeve të kritikut të madh amerikan, Robert Kagan, gjatë luftës në Kosovë, kryeministri i atëhershëm britanik, Tony Blair, tregoi gatishmëri më të madhe sesa administrata amerikane për të dërguar trupa në terren kundër Serbisë, duke qenë se një pjesë e liderëve evropianë të kohës favorizuan një zgjidhje politike për Kosovën para ndërhyrjes ushtarake.
Pra, nuk është rastësi që Blairi shihet si një prej përkrahësve më të fuqishëm të luftës dhe bombardimeve të NATO-s. Për Blairin, ashtu sikurse për kancelarin e atëhershëm gjerman, Gerhard Schroeder, ndalimi i barbarisë serbe ishte më urgjente sesa përpjekja për të negociuar me ish-udhëheqësin fashist të Serbisë, Sllobodan Millosheviç, i cili refuzoi diplomacinë.
Në një fjalim drejtuar kombit para nisjes së fushatës ajrore të NATO-s mbi objektivat serbe në Kosovë, Serbi e Mal të Zi, kryeministri Blair u kishte bërë thirrje britanikëve të dalin në mbështetje të bombardimeve të NATO-s: “Ne jemi duke bërë gjënë e drejtë për Britaninë e Madhe, Evropën dhe për një botë që duhet të dijë se barbaria nuk mund të mposhtë drejtësinë”.
“Nuk do ta bëja nëse nuk do të mendoja se kjo ishte gjëja e duhur për të bërë”, garantoi kryeministri Blair në mars të vitit 1999, madje për një arsye shumë të thjeshtë: për të dëmtuar mjaftueshëm forcat serbe dhe për të parandaluar Millosheviçin që të vazhdojë shtypjen e civilëve të pafajshëm shqiptarë. “S’do të ketë marrëveshje apo për kompromis me Millosheviçin”.
Blair, i cili për shqiptarët e Kosovës është më shumë se një ish-kryeministër britanik, një qerek shekulli më pas, gjatë vizitës në Kosovë, përsëriti se ndërhyrja e aleatëve të NATO-s në vitin 1999 ishte e nevojshme dhe se ekzistenca e shtetit të pavarur të Kosovës është dëshmi e kësaj, prandaj nuk është penduar asnjëherë që e ndihmoi Kosovën në jetësimin e lirisë.
“Atëherë besova se ishte gjëja e duhur për të bërë – jam i bindur se ajo ishte gjëja e duhur edhe tash. Dhe besoj se ne duhet të vazhdojmë të qëndrojmë përkrah popullit të Kosovës”, theksoi Blair në një konferencë të përbashkët për shtyp me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të një vizite të shumëpritur për nder të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës nga Serbia.
Robert Cooper, diplomati britanik që mbikëqyri negociatat teknike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të shkruante se përgjigja britanike ndaj situatës në Kosovë u nxit nga kujtimet e holokaustit dhe torturave njerëzore që solli nacionalizmi i skajshëm gjatë Luftës së Dytë Botërore. “Këto eksperienca historike shërbyen si përligje për ndërhyrjen e armatosur në Kosovë”.
“Do të ishte ndryshe për Evropën të ndërhynte ushtarakisht në një tjetër vend, me një tjetër histori. Rendi evropian në mënyrë të veçantë është i bazuar në historinë evropiane dhe në vlerat që nxjerrin nga historia”, vazhdonte Cooper, duke veçuar faktin se për shkak se një gjenocid ishte duke ndodhur në Evropë, u dha edhe një leje të veçantë, për të shkuar në luftë.
Ndryshe, ndërhyrja humanitare e NATO-s më 24 mars 1999 konsiderohet një ndër sukseset më të rëndësishme të aleancës ushtarake që erdhi në jubileun e 50-të të NATO-s, përkundër se përbente rastin e parë në histori që ajo ndërhynte në territorin evropian. Bombardimet e NATO-s mbi Serbinë përfunduan pas 78 ditëve, ndërsa lufta në Kosovë pas 14 muajve.