Lajme

Në Kosovë, 40 mijë persona humbën vendet e punës gjatë vitit 2021


Protesta për punësim në Prishtinë nga vitet e kaluara.

Rreth 40 mijë punëtorë e kanë humbur vendin e punës dhe 64 mijë persona e kanë lëshuar vendin e punës për shkak të mostrajtimit adekuat nga institucionet.

Kështu ka bërë të ditur, kryetari i Sindikatës të Sektorit Publik në Kosovë, Jusuf Azemi.

“Në këtë vit rreth 40 mijë punëtorë e kanë humbur vendin e punës. Fatkeqësisht kemi 64 mijë persona që e kanë lëshuar Kosovën për shkak të mos trajtimit adekuat. Shteti nuk ka krijuar kushte për këta punëtorë sa i përket sigurisë sociale në Kosovë”, ka deklaruar Azemi për EO.

Ndërsa, paralajmëroi se nëse vazhdon kështu viti 2022, Kosovën do ta presë një gjendje më e rëndë.

“Ne nuk jemi paguar dhe trajtuar si duhet nga shteti. Nëse vazhdon kështu do të na presë një gjendje më e rëndë përndryshe do të na presë ikja e fuqisë punëtore sidomos atyre që janë në profesione të caktuara”.

Gastronomet kundërshtojnë masat anti-COVID.

Në anën tjetër, sekretari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Arian Vranica deklaroi se një mijë e 100 biznese janë konsideruar të shuara në vitin 2021.

“Realisht te falimentimi janë disa procedura të komplikueshme dhe më shumë ka pasur pezullim të veprimtarisë së bizneseve. Në vitin 2021 i kemi 8 100 biznese që janë regjistruar. Ka pasur rënie të regjistrimit në tre mujorin e tretë. 1 000 biznese janë konsideruar të shuara në vitin 2021”, tha Vranica.

Sipas tij, zgjidhja e duhur është që të hiqet TVSH-ja.

“Natyrisht që duhet të hiqet TVSh-ja. TVSh-ja ka treguar që ka qenë shumë e suksesshme nëse krahasojmë deklarimet në qarkullim të cilat i ka bërë gastronomia”.

Ai përsëri ka paralajmëruar protesta në rast se nuk hiqen kufizimet nga ekzekutivi në vitin 2022.

Gastronomet kundërshtojnë masat anti-COVID.

“Në vitin 2021 kanë qenë 188 milionë qarkullim. Varësisht se si do të jenë kushtet që do të krijohen do ta presim vitin 2022 nëse do të ketë rritje të TVSh-së. Ne do të ballafaqohemi me pandeminë edhe në vitin 2022. Nëse nuk do të bëhet një lloj ndryshimi ne do t’i kundërshtojmë dhe do t’i rrisim ashpër qëndrimet tona me anë të protestave”.

Më 15 dhjetor, me moton “Boll ma”, drejtuar institucioneve për masat antiCOVID-19, Shoqata e Gastronomeve të Kosovës si dhe Oda e Hotelerisë dhe Turizmit kanë protestuar para të objektit të Qeverisë së Kosovës, të mërkurën e 15 dhjetorit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore