Lajme

Në Komisionin për Legjislacion votohet projektligji për konfiskimin e pasurisë, opozita e quan antikushtetuese


Komisioni për Legjislacion

Me 7 vota për dhe 2 abstenime të mërkurën e dy shkurtit në Komisionin për Legjislacion ka kaluar projektligji për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, e cila nga partitë opozitare është cilësuar si antikushtetuese, pasi sipas tyre ekzekutivi nuk ka interes për të bërë një Ligj të tillë dhe se nëse dërgohet në kushtetues do të bie poshtë.

Megjithatë, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në komisionin në fjalë duke e arsyetuar projektligjin ka potencuar se Byroja shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, është në funksion të zhvillimit dhe konsolidimit të shtetit.

“Ky projektligj ka për qëllim se në rast se Byroja vlerëson qe dikush ka pasuri e cila është e pajustifikueshme kërkon nga ai zyrtar, arsyetimin e parasë. Një nga debatet e shumta që është bërë në këtë drejtim ka qenë që kinse Byroja do ta konfiskojë pasurinë, por kjo nuk është e vërtetë, këtë e bën Gjykata Themelore në Prishtinë”, tha Haxhiu.

Haxhiu, madje është zotuar se projektligji do të pamundësojë ndikimin e politikës në këtë institucion.

“Ky institucion nuk ka kompetenca hetuese por verifikuese. Ne frikën nuk mundem me ja heq askujt, por të punojmë së bashku që të bëjmë ligjin e mirë”, ka shtuar ajo.

Anëtari i Komisionit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Driton Selmanaj, tha se ky projektligj ka qenë në programin e tyre, për çka tha se e përkrahin fuqishëm. Ndërkohë që i njëjti ka gjetur vërejtje në përmbajtjen e këtij projektligji.

“Nga paslufta kemi zyrtarë që si shkak i keqpërdorimeve ka pasuri të pajustifikueshme. Në parim pajtohemi, por nuk duhet të ishte vetëm përpjekje e një qeverie. Duhet të kujdesemi që politikën ta largojmë sa më shumë nga ky institucion. Kam marrë disa vërejtje nga shoqëria civile, ku është kufizuar koha e diskutimit publik vetëm për shtatë ditë”, ka thënë Selmanaj.

Ai madje ka ngritur edhe dilemat nëse ndodhë që të konfiskohet pasuria dhe një zyrtar të dalë i pafajshëm, për çka u shpreh se nuk adresuar një çështje e tillë.

Edhe anëtari tjetër opozitar nga Partia Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa, u shpreh pro këtij projektligji por, ai tha se ky projektligj është në kundërshtim me kushtetutën.

“Mos po kalojmë në një dualizëm. Unë konsideroj se struktura e ligjit është në kundërshtim me Kushtetutën. Nëse dikush e dërgon në kushtetuese këtë ligj atëherë hidhet poshtë. Byroja është puro politike”, ka deklaruar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore