Lajme

Në Indonezi vijon evakuimi i banorëve nga shpërthimi i vullkanit


Të rrethuar nga një skenë apokaliptike e hirit dhe baltës, banorët që jetojnë në malin Semeru të Indonezisë kërkuan sendet e rrënuara, pasi shtëpitë e tyre u mbuluan nga shpërthimi vullkanik të shtunën e 4 dhjetorit.

Shpërthimi ka vrarë 14 njerëz dhe ka plagosur 56 të tjerë.

Gjithashtu, sipas autoriteteve më shumë se 1 mijë e 300 njerëz u evakuuan.

Një zëdhënës i agjencisë indoneziane për mbrojtjen ndaj fatkeqësive (BNPB) tha se të lënduarit po trajtoheshin në spitale.

Ai bëri me dije se 10 punëtorët e minierës së rërës që ishin bllokuar në ndërtesa janë shpëtuar.

Vendet, të cilat u kthyen në strehimore janë pajisur me ushqime, maska ​​për fytyrën dhe çanta trupi.

Evakuimi është penguar nga tymi mbytës, ndërprerja e energjisë elektrike dhe stuhitë e shiut gjatë shpërthimit.

Një urë e rëndësishme nga zona në qytetin e afërt të Malang u rrëzua gjithashtu.

Kreu i agjencisë gjeologjike të Indonezisë tha se, shiu i dendur që binte në buzën e kraterit të malit Semeru shkaktoi shembjen e pjesshme të tij.

Indonezia, një arkipelag me më shumë se 270 milionë njerëz, është i prirur ndaj tërmeteve dhe aktivitetit vullkanik, sepse ndodhet përgjatë “Unazës së Zjarrit” të Paqësorit.

Mali “Semeru” shtrihet 3 mijë e 676 metra mbi nivelin e detit dhe është një ndër 130 vullkanet aktive të Indonezisë. Hera e fundit që shpërtheu ishte në dhjetor të vitit 2020, duke detyruar mijëra banorë të largoheshin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore