Lajme

“Ne i bëjmë mu*in sanksioneve të Perëndimit”, thotë ambasadori rus në Suedi


“Më falni për gjuhën, por ne i bëjmë mu*in sanksioneve perëndimore”.

Kjo deklaratë e fortë ka ardhur nga ambasadori rus në Suedi, Viktor Tatarintsev, i cili ka dalë krejtësisht jashtë gjuhës diplomatike që përfaqësitë përdorin, duke shkaktuar debate të mëdha gjeopolitike, në një situatë kur konflikti mes Moskës dhe Kievit, ka kapur majat.

Në një çast kur paralajmërimet janë dhënë se lufta është pas dere, Tatarintsev lëshon pikërisht këtë deklaratë, në një intervistë për median suedeze “Aftonbladet”.

Viktor Tatarintsev, Ambasador i Rusisë në Suedi

Ndër çështjet e tjera për të cilat ai foli, ishte edhe qëndrimi se SHBA-të dhe NATO, po e përkeqësojnë situatën e sigurisë. Sipas tij, kjo është edhe arsyeja se pse Kremlini, e kundërshton forcërisht aderimin e Stockholmit në aleancën e Atlantikut të Veriut.

Gjithsesi, vetë Suedia, e ka thënë disa herë se nuk është e interesuar të bashkohet me NATO-n. Faktin e ka bërë edhe Sekretarja e Shtetit, Karin Wallensten, kur foli mbi situatën e krijuar në konfliktin Ukrainë-Rusi.

“Duam të mbetemi një partner i fortë dhe i mirë i NATO-s, por nuk duam të bashkohemi”, nënvizoi ajo.

E njëjta gjë, është theksuar edhe nga ministrja e Jashtme, Ann Linde, kur tha se Stockholmi nuk kishte ndërmend të bashkohej me NATO-n.

Ann Linde, ministrja e Jashtme e Suedisë

Por, retorika ruse, duket se nuk do t’ia dijë për këto çështje diplomatike. Me një gjuhë mu*i, Tatarintsev duket se flet me gjuhën që askush nuk do të shohë, e aq më pak në një kohë të tillë konflikti, kur retorika ka marrë sfond të ngjashëm me atë të luftës së ftohtë.

Por, të paktën, në atë presidenciale, ose kryediplomatike, një gjuhë si e Tatarintsev-it nuk është parë. Deri tani, ende jo të paktën…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore