Shqipëria

Në gjyqin e ardhshëm të Belerit pritet një përfaqësi e Dhomës greke të Avokatisë


Në gjyqin e ardhshëm të Fredi Belerit pritet të jetë e pranishme edhe një përfaqësi e Dhomës greke të Avokatisë.

Nga mediat greke bëhet me dije se ky vendim është marrë në një mbledhje të Komisionit Koordinues të Plenares në Greqi.

Më herët, kreu i zgjedhur i Bashkisë Himarë ka paraqitur në Gjykatën e Lartë dy rekurse të reja.

Në to kërkohet vlerësimi si i paligjshëm i arrestimit të tij dhe shpallja e paligjshme e përgjimeve që Prokuroria ka kryer ndaj Belerit.

Mbi pikën e parë, Beleri e ka kthyer tashmë në kauzën më të madhe pas zgjedhjes si kryebashkiak, mbajtjen në paraburgim me vendim të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila argumenton se ka prova që Beleri ka ushtruar aktin e paligjshëm të shitblerjes së votës.

Kjo gjë është mohuar kategorikisht nga ai.

Ndërsa, arrestimi, erdhi pas përgjimeve të kryera nga Prokuroria e Posaçme SPAK dhe për këto, Beleri pretendon se janë të jashtëligjshme.

Më herët ndërkaq, Beleri, përmes një publikimi në median sociale Facebook, deklaroi se “nuk ka vendim gjykate, që ta ndalojë betimin tim në krye të Bashkisë Himarë”.

Përmes postimit, Beleri ka thënë se nuk ka asnjë vendim gjyqësor që të ketë rrëzuar kërkesën e tij për leje të veçantë për të bërë betimin.

“Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve në dy raste është shprehur jashtë afatit 24-orë, të parashikuar në rregullore dhe në rastin e fundit nuk është shprehur fare, me qëllim që unë të mos ta ankimoj refuzimin në gjykatë”, shkruan ai fillimisht. “Dihet botërisht se IEVP Penale dhe Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve janë nomenklaturë e Këshillit të Ministrave në Shqipëri dhe nuk janë organe të pavarura të drejtësisë”.

Me këtë reagim, Beleri i drejtohet drejtpërdrejt kryeministrit Edi Rama, duke e etiketuar atë edhe në citimin fillestar të publikimit, të cilin e titullon “Kush (kë) po dizinformon z. Rama?”.

Mirëpo, nga ana tjetër, kreu i Qeverisë shqiptare e ka bërë të qartë se çështja Beleri nuk është politike, sakaq krejtësisht ligjore dhe në duart e drejtësisë.

Ndaj, ai nuk ka ndërhyrë asnjë sekondë për të interferuar me punën e organeve të drejtësisë.

Teksa, së fundmi, pjesë e çështjes Beleri janë bërë edhe Partitë Popullore Evropiane, të cilat kanë kërkuar lirimin e Belerit, pasi mbahet “padrejtësisht në paraburgim”.

Njëjtë e ka qëndrimin edhe shteti grek, ku prej kësaj ngjarjeje, ka pasur edhe tensione të larta diplomatike, të cilat kulmuan me mungesën e ftesës për kryeministrin Rama në një takim informal të zhvilluar në Athinë me liderët e rajonit, nga homologu i tij grek, Kyriakos Mitsotakis.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore