Lajme

Në flakë Parlamenti i Afrikës së Jugut, qielli i Cape Town mbulohet nga reja e zezë e tymit


Një zjarr masiv ka rënë në godinën e Parlamentit të Afrikës së Jugut, në qytetin e Cape Town, vetëm disa orë pas varrimit që iu bë kryepeshkopit Desmond Tutu, në katedralen e shën Gjergjit, e cila ndodhet shumë pranë godinës parlamentare.

Një shtëllungë e madhe e tymit të zi është parë të dalë nga çatia e ndërtesës. Dhjetëra zjarrfikës kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, por flakët ende nuk janë vënë nën kontroll.

Sipas një njoftimi të autoriteteve, edhe godina e Kuvendit është në flakë, pasi është bërë kalimi i zjarrit në çatitë, të cilat ndodhen shumë pranë njëra-tjetrës.

“Të çara janë të dukshme në mur dhe kemi raportime të tilla edhe nga zjarrfikësit”.

Kështu e ka pasqyruar situatën një zyrtar afrikano-jugor për agjencinë franceze të lajmeve AFP.

Sipas po të njëjtit raportim, zjarri ka rënë në katin e tretë, në pjesën e zyrave të deputetëve.

Godina në tërësi është e ndarë në tre pjesë, me të parën, të ndërtuar në vitin 1884. Një sektor tjetër është ngritur në 1920-ën dhe më i riu, pjesa e dhomës së përfaqësuesve, në vitin 1980.

Vitin e shkuar sakaq, një tjetër ngjarje e rëndë ndodhi në Cape Town, ku një pjesë e bibliotekës kombëtare mori flakë.

Ndërsa, mbi Parlamentin, fatmirësisht sesionet kanë qenë në periudhë pushimesh. Kështu, duke mos pasur persona brenda godinës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore